Nga LUTFI DERVISHI
Nëse kërkon në “Google” për “listën e emrave të gazetarëve shqiptarë që janë financuar me fonde të zeza nga Greqia”, të dalin afro 80 mijë artikuj të ndryshëm në dhjetëra e qindra portale, – portale nga më seriozët që kanë mijëra ndjekës e deri te blogjet personale që kanë për audiencë autorin e shkrimit! “Skandali” me “listën e turpit” u bë publik fillimisht nga një blog i parëndësishëm dhe pastaj me shpejtësinë e thashethemit mbuloi rrjetet sociale dhe dominoi debatin on line.
“Lista e turpit” që përgojon emra të njohur të gazetarisë, artit, politikës dhe botës akademike, është rasti për t’u ndalur te përgjegjësitë publike të gazetarëve dhe zotëruesve të portaleve.
Duke kaluar shpejtësinë e fotokopjes, lista u shumëfishua pasi kaloi testin e marrjes së klikimeve. Më tej, mbi këtë lajm të rremë u ndërtuan “lajme” të tjera dhe përveç “tregtarëve të shpifjeve”, gjithë të tjerët po dalin të humbur!
Lajmet e rreme- më të suksesshëm janë ata që bazohen mbi gjysmë të vërteta. Edhe ky “lajm” u bazua mbi skandalin e financimeve përmes fondit sekret të Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Debati në Greqi për financimin e portaleve dhe gazetarëve në Shqipëri dhe në Maqedoni u nxit nga dorëheqja e ministrit të Jashtëm grek. Kotzias, pas një përplasjeje për “fondin sekret” me ministrin e Mbrojtjes, Kammenos.
Ekzistenca e këtij fondi sekret dhe pranimi publik i qëllimit të përdorimit ndoshta të çojnë në një listë tjetër, që mund të meritojë epitete të rënda. Por baltosja majtas dhe djathtas, lart dhe poshtë, me synime të qarta politike apo tregtare ka marrë përmasa alarmante!
Teoritë konspirative janë përgjigje për pyetjen pse gjërat nuk shkojnë aq mbarë sa ne dëshirojmë. Lajmet e rreme kanë funksione të shumëfishta- janë për të lënduar, për të manipuluar, për të bërë para dhe për të sabotuar.
Është detyrë e medias jo vetëm çmontimi i lajmeve të sajuara, por edhe përcaktimi i motiveve pse hidhen në treg: ‘fake news’?!
Ka disa pyetje të thjeshta që ndihmojnë në çmontimin e ‘fake news’? Kush është autori? Çfarë dimë ne për të? A mund të verifikohen burimet e lajmit? Çfarë synon ky lajm? Kush përfiton nga ky lajm dhe shpërndarja e tij?!
Janë pyetje të thjeshta, përgjigjja e të cilave nuk të merr shumë kohë. Në rastin e “listës së turpit” synimi është i qartë: me një gur vriten disa zogj: denigrohen njerëz, shpërqendrohet vëmendja nga problemi i vërtetë, manipulohet opinioni dhe fitohen ca klikime me shumë!
Është koha e bërjes publike të një liste tjetër turpi, – listës së portaleve/blogjeve anonime, që ecin sipas thënies: “Nuk kam turp, nuk ke çfarë më bën”