Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ka reaguar pas “listës së zezë” me emrat e zyrtarëve të administratës që u publikuan nga Kryeministri Edi Rama.

Në një tjetër status në Facebook mëngjesin e sotëm, Kryemadhi shkruan se në asnjë demokraci nuk ndodh që kreu i qeverisë të linçojë punonjës të administratës, gjyqtarë e prokurorë.

Sipas saj, këto janë shenjat e një pushteti që nuk njeh kufi dhe që ka kaluar në delir. Kryetarja e LSI-së ripërsërit synimin e partisë që ajo drejton, për të vazhduar betejën kundër instalimit të një pushteti mafioz.

Statusi i Kryemadhit në Facebook:

Mirëmëngjes! 
Nuk ka më qesharake se të lexosh çfarë kryeministri shkruan pas mesnate, duke u munduar të justifikojë publikimin e një “liste të zezë”, të ngjashme me fletërrufetë e komunizmit. Sado të përpiqet me arrogancë dhe paralajmerime, Edi Rama nuk e shmang dot paturpësine e tij dhe të oborrtarëve të tij që shkelën çdo të drejtë njerëzore dhe publike duke linçuar, jo vetëm punonjës të administratës, por edhe prokurorë e gjykatës, që nuk janë aspak kompetencë e kreut të qeverisë.

Por deliri i pushtetit nuk njeh më kufij dhe shenjat e para të sundimit të pakicës, që vodhi zgjedhjet e qershorit, po jep shenjat e para. Karafili i qeverisë nuk sheh më përtej oborrit të tij, krimit dhe drogës, bashkëpunëtorëve të vjedhjes së votes dhe oligarkëve. Pushteti pa kufij që ata i dhanë me tjetërsimin e votës e bën atë të mendojë dhe veprojë si një diktator, duke harruar që ky popull ka memorie dhe nuk i toleron akte të tilla paturpësie. 

Ndaj të gjithë së bashku duhet ta ndalojmë këtë delirant që nuk njeh më kufizime. Sot më shumë se kurrë opozita duhet të jete e fortë dhe e bashkuar për t'i treguar këtij kryeministri në delir se pushteti i pakufizuar dhe arroganca janë te papranueshme në demokraci, qoftë edhe në një demokraci të brishtë si e jona. Të gjithë së bashku duhet ta ndalojmë këtë revansh që u ble më 25 qershor me lekët e krimit dhe drogës. LSI do të vijojë çdo ditë dhe pa kompromis betejën e saj kundër instalimit të pushtetit mafioz. Të gjithë së bashku do t'i japim përgjigjen që meriton arrogancës së pushtetit të blerë me paratë e krimit dhe drogës. E drejta e votës do të jetë synimi ynë. Askush nuk na ndal në këtë rrugë drejt lirisë që çdo shqiptar ka për të vendosur të ardhmen e tij dhe te fëmijëve të tij.