Ashtu siç pati paralajmëruar edhe më herët kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, ditët e fundit të muajit gusht dhe data 2 e muajit shtator do të jenë datat kur do të zhvillohet shorteu publik për shpërndarjen e apartamenteve për familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti i 5 viteve më parë.
Në datën 2 shtator do të zhvillohet shorteu publik për 154 familje përfituese, të cilat do të marrin apartamente 1+1 në pallatet 4 katëshe, të ndërtuara në sitin e ri në Spitallë.
Shorteu do të zhvillohet në Qendrën Kulturore Durrës, duke nisur nga ora 09.00.
Në njoftimin e bashkisë, nënvizohet se personat që përfshihen në kategoritë prioritare duhet të dorëzojnë dokumentet pranë njësive administrative.
“Renditja e përfituesve për zhvillimin e shorteut do të shpallet në datën 28.08.2024, pasi përfituesit, pjesë e kategorive prioritare, të kenë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm pranë njësisë administrative. Dokumentacion i dorëzuar pas kësaj date nuk do të merret parasysh nga Komisioni i Posaçëm”,- shkruhet në njoftim.
“Mosparaqitja në këtë shorte e personave përfitues i heq të drejtën e ankimimit apo pretendimeve lidhur me rezultatet e këtij shorteu publik.
Personat përfitues në pamundësi për të qenë pjesëmarrës në këtë shorte publik mund të përfaqësohen me prokurë. Në këto raste zbatohen dispozitat ligjore të përfaqësimit”,- vijon më tej njoftimi i bashkisë Durrës.
Ajo që vihet re në 2 listat e publikuara nga bashkia, është se në sitin e ri të Spitallës, ku janë ndërtuar 996 apartamente të reja do të sistemohen familje të mbetura të pastreha nga tërmeti jo vetëm brenda në qytet, por edhe në 5 njësitë administrative (Rrashbull, Sukth, Katund i ri, Manëz dhe Ishëm).
Lista me emrat e 154 përfituesve të apartamenteve 1+1:












