Agjencia Shtetërore për Shpronësim ka publikuar një tjetër listë të familjeve durrsake që do të shpronësohen për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit “Rijetëzimi i siteve dhe i monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti në Shqipëri, brenda kufirit të zonës arkeologjike ‘B’ të qytetit të Durrësit”.

Pas publikimit të datës 5 tetor, së listës së familjeve që do të zhvendosen në një tjetër vend me qëllim zbulimin e plotë të amfiteatrit, në fletoren zyrtare që mban datën e sotme (8 nëntor) është publikuar lista me të tjera familje që do të preken nga shpronësimi për interes publik nga projekti që do të zbatohet në zonën B(shkarkoni Fletoren zyrtare në fund të shkrimit).

Bëhet fjalë për trashëgimtarët e familjes Dovana, familjet Berisha dhe 4 toka shtet.

Subjekti kërkues i projektit në fjalë është Qendra Muzeore Durrës, ndërkohë që vlera e shpronësimit arrin në 28,892,636 lekë.

Ndërkohë që familjet e listuara, por edhe ato që preken, por nuk janë të listuar kanë afat 15 ditë të prezantojnë pretendimet e tyre.

Kërkesa e plotë e publikuar në Fletoren Zyrtare:

Agjencia Shtetërore për Shpronësim shpall kërkesën “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i projektit “Rijetëzimi i siteve dhe i monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti në Shqipëri, brenda kufirit të zonës arkeologjike ‘B’ të qytetit të Durrësit”. Subjekti kërkues i këtij projekti është Qendra Muzeore Durrës.

Me anë të këtij publikimi, kërkojmë të vëmë në dijeni personat e prekur nga ky shpronësim, për interes publik, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të cilat do të kompensohen sipas vlerësimit paraprak të llogaritur, për pasuritë e llojit “truall” bazuar në VKM nr. 89, datë 3.2.2016, “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”.

Personat që preken nga ky projekt të cilët kanë emrin në tabelën e publikuar dhe personat të cilët preken por nuk figurojnë në listë, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga publikimi në Fletoren Zyrtare, kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës, si edhe të shprehen nëse janë dakord me të dhënat e publikuara për përfundimin e procedurave të shpronësimit, në Qendrën Muzeore Durrës, si dhe në Agjencinë Shtetërore për Shpronësim. Vlera totale paraprake e shpronësimit është 28,892,636 (njëzet e tetë milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë) lekë.