Dy ditë pas firmosjes së marrëveshjes me AKR-në e Behgjet Pacolli, koalicioni PAN nuk po arrin ende të konkretizojë shumicën parlamentare, e të formojë qeverinë e re të Kosovës.
Këtë të mërkurë, krerët e partive të koalicionit PAN zhvilluan një takim me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili duket se ka “rritur pazarin” për të qenë pjesë e qeverisë.
Koalicioni PAN i kishte premtuar Listës Serbe, postin e zv/kryeministrin si edhe dy ministri, me të cilave atë të Bujqësisë, e cila në marrëveshjen e fundit me AKR-në, i kaloi forcës së Behgjet Pacollit. Me gjasë portofoli i Bujqësisë është bërë edhe shkaku i mëdyshjes së Listës Serbe.
Mediat në Kosovë shkruajnë se partia e minoritetit serb ka kërkuar gjithashtu edhe postin e zv/presidentit të Kosovës.
Në një intervistë për REL, zëdhënësi i Listës Serbe, Igor Simiç, thotë se përpara arritjes së marrëveshjes, partia e tij do të konsultohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Koalicioni PAN u akuzua nga Albin Kurti për varësi nga Beogradi, pas arritjes së marrëveshjes me Behgjet Pacollin për krijimin e qeverisë së re. Me 9 deputetë në parlamentin e ri të Kosovës, Lista Serbe kthehet në një faktor kyç në formimin qeverisë së vendit.
Bashkë me deputetët serbë dhe me AKR-në e afruar së fundi, koalicioni PAN arrin të plotësojë 63 mandate, duke siguruar një shumicë të brishtë, në parlamentin me 120 deputetë.
Megjithatë kandidati për kryeministër i koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, u shpreh besimplotë se institucionet do të krijohen brenda kësaj jave.