Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka cilësuar akt të përgjegjshëm dhe historik vendimin e kryetarit të PD-së për hapjen e listave 100%. Ai tha sot se kjo bën që deputetët e ardhshëm të jenë pronë e qytetarëve të Shqipërisë dhe jo zara të kryetarëve të Partisë, që ngrenë kartonët duke dhunuar Kushtetutën.

Duke e vlerësuar si shenjë lidershipi dhe përgjegjshmërie nga ana e zortit Basha, Meta e cilësoi ‘fake news’ refuzimin nga kryeministri Rama të hapjes së listave 100%.

Cili është komenti juaj rreth propozimit të kryetarit Basha për hapjen 100% të listave dhe më pas refuzimi i kryeministrit Rama?

Nuk e besoj që të jetë refuzuar një propozim i tillë si ky që ka bërë zoti Basha nga zoti Rama. Nuk e besoj të jetë një lajm i vërtetë, duhet të jetë fake news.

Përshëndes këtë akt të përgjegjshëm dhe historik të kryetarit të PD-së dhe Opozitës së Bashkuar për të dhënë dakordësinë e tij për hapjen 100% të listave, të kandidatëve për deputetë për qytetarët shqiptarë në mënyrë që deputetët e ardhshëm të jenë pronë e qytetarëve të Shqipërisë dhe jo zara të kryetarëve të Partisë, që ngrenë kartonët duke dhunuar Kushtetutën, ligjin, interesin kombëtar dhe interesin publik.

I nxis palët që sa më shpejtë të punojnë deri në 30 korrik, 31 korrik, 1 gusht, 5 gusht, 10 gusht bashkë me ekspertët më të mirë të ODIHR dhe ekspertët e BE për të gjetur format dhe mënyrat më të mira të funksionimit të listave 100% të hapura në mënyrë që në Shqipëri të rivendoset parlamentarizmi që është goditur aq rëndë që nga viti 2008.

Në këtë mënyrë, z. Basha tregon jo vetëm lidership, përgjegjshmëri dhe respekt për qytetarët shqiptarë, por edhe shlyen një gabim të PD-së, që votoi atëherë për mbylljen e listave për çdo lloj arsye. I jepet frymëmarrje demokracisë dhe i jepet mundësia qytetarëve të kenë parlamentin e tyre, të kenë përfaqësuesit e tyre dhe kjo është një gjë shumë pozitive.