DURRES, 31 tetor 2013 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në çeljen e ekspozitës Live Art 2013 në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës.
Live Art u organizua për herë të parë në Shqipëri nga Intesa Sanpaolo Bank Albania si nje konkurs arti prestigjoz dhe unik në lëmin e pikturës, në partneritet me Ministrinë e Kulturës dhe Galerinë Kombëtare të Arteve si partnerë zyrtare.
Misioni i Live Art është të inkurajojë artin bashkëkohor shqiptar dhe të kontribuojë në promovimin e tij, me synim sjelljen sa më pranë syrit të publikut si dhe të ndihmojë artistët e rinj të pozicionohen në skenën profesionale të artit.
Kjo ekspozitë çelet për publikun në Durrës për të ekspozuar 26 punët finaliste me parnteritet të Bashkisë së Durrësit.
Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë edhe prefekti i Durrësit Roland Xhelilaj, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Artan Shabani si dhe shumë artistë dhe personalitete të shquar të qytetit të Durrësit.
Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit është gjithmonë në mbështetje të fuqishme të artit madje Bashkia e Durrësit ka edhe moton e saj në këtë drejtim që është “arti mbiemri i qytetit tim”.
Gjatë fjalës së tij kryebashkiaku Dako e konsideroi këtë projekt një shprehje të rëndësishme të fuqisë artistike të Shqipërisë dhe shembull pozitiv të asaj që mund të arrihet në partneritet me sektorin privat.
Në ceremoni e ka marrë fjalën edhe Alberto Prestopino, Drejtori i Divizionit të Retail i Intesa Sanpaolo Bank Albania. Prestopino theksoi impenjimin e Bankës në inisiativa që nxisin e promovojnë kulturën e artin, duke vënë kështu në jetë parimet e Përgjegjësisë Sociale të Korporatës, në zbatim të vlerave ku Banka bazon punën e saj të përditshme.
Intesa Sanpaolo Bank Albania vlerësoi 3 artistë të rinj për punën dhe pjesëmarrjen e tyre në Projektin “Live Art 2013” ku marrin pjesë piktorë të rinj që konkurojnë me veprat e tyre.
Fituesit e këtij konkursi janë:
Enkelejd Zonja çmimi i Parë – 5.000 Euro me veprën “Kabareja e shallit të kuq”.
Genti Korini çmimi i Dytë – 3000 Euro me veprën “Abstrakt /11/06”.
Ledion Xhaferi çmimi i Tretë – 2000 Euro me veprën “Dritare”.
Live ART është një projekt që buron kreativitet, ndriçon mendjet e sjell frymëzim. Intesa Sanpaolo Bank Albania ka treguar një ndjeshmëri të lartë ndaj iniciativave të fokusuara në promovimin dhe përhapjen e kulturës dhe dijes dhe në këtë aspekt kjo bankë vepron me projekte për mbrojtjen e vendeve me trashëgimi historike e kulturore, tek përafrimi i artit me publikun përmes ekspozitave e koleksioneve, duke përfshirë iniciativat e orientuara drejt bashkëpunimeve si dhe promovimin e eventeve të artit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





