Avioni me trupin e pajetë të nëntetares Zarife Hasanaj është ulur në tokën shqiptare rreth orës 13:05. Të veshur me të zeza e të pikëlluar nga dhimbja e madhe, me një foto të 32-vjeçares të stampuar në bluza familjarët e Zarife Hasanaj kanë dalë të presin në aeroport vajzën e tyre që sot kthehet në një arkëmort.

Në ceremoninë e pritjes, e pranishme Mnistrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe Forcave të Armatosura. Ministrja ka ngushëlluar familjarët e efektives së FA, duke e cilësuar humbjen e vajzës së tyre një humbje të gjithëve. Ajo iu dha dhe lajmin familjarëve se Hasanaj shpallet "Dëshmore e atdheut".

“Dhimbja juaj është edhe e jona. Jeni pjesë e familjes së madhe ushtarake. Do keni mbështetjen tonë për çdo nevojë. Ndarja nga jeta e Zarifes është një humbje e madhe për të gjithë ne”, deklaroi Xhaçka.

Efektivja e FA-ve Zarife Hasanaj humbi jetën mëngjesin e 6 majit pas shpërthimit të një mine në Letoni, ku u plagosën rëndë komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe më lehtë Rreshter Julian Xhevat Kapaj.