Kreyministri Edi Rama e ka nisur paraditen e kësaj të hëne nga qyteti i Durrësit, ku është ndalur tek Eco Parku.

“Edhe disa pemë të tjera në një nga shembujt tanë të transformimit të gjelbër, Eco Parku në Porto Romano!

“Deri pak vite më parë këtu gjendej një plagë e madhe e qytetit të Durrësit, fusha e mbledhjes së plehrave prej shumë dekadash, e cila ishte kthyer edhe në një skemë ku trupat e televizioneve të huaja vinin për të xhiruar e për të bërë kronika tejet të zymta për Shqipërinë.

Sot është realitet 100% ndryshe, i transformuar nga një hapësirë ku kishte vetëm plehra dhe kafshë që vinin rrotull mes tymit në një hapësirë e cila së shpejti do të gjallërohet nga gjithë ata të rinj e të reja që kanë dëshirë të aktivizohen në sport, por edhe nga familje në ditët e pushimit apo orët e pasdites që do të duan të kalojnë në një mjedis mes gjelbërimit dhe i patrazuar nga zhurmat e makinave.

Pemët do të qëndrojnë pas shumë e shumë fushatave për t’i bërë hije tokës e për të shtuar përmasën e gjelbërt”, shprehet Rama.

Kryeministri shoqërohet nga kryebashkiakja dhe kandidatja për Durrësin Emiriana Sako, zëvendësministrja e Arsimit Bora Muzhaqi si dhe deputetët Klodiana Spahiu e Alban Xhelili.