Adhuruesit shqiptarë të muzikës klasike kanë arsye të klikojnë në web – faqen e revistës britanike “BBC Music Magazine”. Kjo e fundit ka lansuar thirrjen “Votoni për incizimet më të mira të muzikës klasike të vitit 2012”. Në mesin e 21 nominimeve, është edhe DVD-ja e shfaqjes operistike “Il Trittico”, në të cilin sopranoja shqiptare me nam botëror, Ermonela Jaho, ka portretizuar personazhin e Angelicas në pjesën “Sour Angelica”. Përveç kësaj kategorie, në garën e “BBC Music Magazine” përfshihen edhe nominimet për vokal, intrumental, orkestrim, vepër korale e kamertale. “BBC…” është revistë mujore e cila botohet në Britaninë e Madhe dhe i dedikohet në radhë të parë muzikës klasike, por edhe asaj jazz. Votimet për të zgjedhur incizimet më të mira të vitit, do të pranohen deri më 23 të muajit shkurt. Nominimet janë propozuar nga një juri e kritikëve të revistës, të cilët kanë shqyrtuar 250 incizime të realizuara gjatë vitit 2012. Linkun me thirrjen për të votuar në profilin e saj në rrjetin social “Facebook” e ka shpërndarë edhe Jaho. Votimi mund të bëhet në www.classical-music.com
“Një prej triumfeve të shumta të Pappanos si regjisor i muzikës në “Covent Garden”. Shumë rrallë e shohim gjithë triptikun e Puccinit: këtu janë të trija operat të produksion të Richard Jones. Sour Angelica, roli më sfidues, është realizuar në mënyrë gjeniale nga Ermonela Jaho”, është përshkrimi që juria i ka bërë DVD-së “Il Trittico”, e që është publikuar në ueb faqen e “BBC Music Magazine”. Pjesë e kastës janë edhe baritoni Lucio Gallo, tenori Aleksandrs Antonenko, sopranoja Eva-Maria Westbroek, tenori Alan Oke, mezosopranoja Irina Mishura. Shfaqja operistike është inskenuar në “Royal Opera House” të Antonio Pappanos, nën udhëheqjen e dirigijentit Richard Jones.
Sopranoja Ermonela Jaho gjatë karrierës së saj është ngjitur në teatro prestigjiozë, duke përfshirë “Metropolitan Opera” në New York, “Opera de Marseille” në Paris e shumë të tjera. Gjatë viteve të karrierës së saj ajo është mishëruar me role të shumta. Ka veshur “petkun” e Anna Bolenas, Violettas, Maria Stuardas e shumë personazheve të tjera. Në dhjetor të vitit 2011, ajo i ishte bashkuar Filarmonisë – Opera e Kosovës në një koncert bamirës, të organizuar nga shoqata “Nënë Tereza” me seli në Gjermani. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, kishte thënë se gjithmonë mundohet të kontribuojë në rolin e një ambasadoreje shqiptare.
“Është një detyrim që artistët duhet ta bëjnë. Kudo që jam e them me krenari që jam shqiptare”, kishte thënë Jaho.