TIRANE- Kryeprokurori Adriatik Llalla në fjalën e tij gjatë Ananlizës vjetore të Policisë së Shtetit, u shpreh se bashkëpunimi dhe koordinimi i shpejtë mes dy institucioneve con në një luftë më efikase ndaj krimit dhe korrupsionit.
“Prokuroria e Përgjithshme e ka prioritet ndër prioritetet bashkëpunimin me Policinë e Shtetit. Vetëm falë koordinimit të shpejtë dhe të shpeshtë do të jemi të suksesshëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dy institucionet tona janë në qendër të vëmendjes së opinionit për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike. Pra, qytetarët presin që Policia e Shtetit dhe Prokuroria të ruajnë dhe forcojë ndërveprimin”, tha ai.
Sipas Llallës, “Viti 2012, në opinionin tim, ka pasur histori të rëndësishme suksesi në këtë drejtim. Falë bashkëpunimit, është arritur që të zbulohen dhe vendosen para përgjegjësisë ligjore persona me precedentë penalë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gjithashtu, së bashku kemi arritur të konfiskojmë pasuri në miliona euro, të prejardhura nga aktivitete kriminale dhe trafiqe të paligjshme. Edhe në fillimin e vitit 2013 ka pasur raste të suksesshme të bashkëpunimit dhe shpreh bindjen se kjo frymë mirëkuptimi dhe koordinimi do të vijojë edhe në periudhën në vijim”, u shpreh ai.