TIRANË- Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i ftuar dje në emisionin "Opinion" të gazetarit, Blendi Fevziu, në Tv Klan, u shpreh i gatshëm për të hetuar kryeministrin Berisha, liderin e opozitës, Edi Rama dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. 

A ju shkoi në mendje z.Llalla që gjithë paraardhësit tuaj kanë ikur gjithmonë me gjysmëceremoni nga ajo zyrë me përjashtim të rastit të fundit që ishte relavitisht normal pra një përcjellje me një rrotacion normal?

Në fakt më interesante ishte momenti kur po e ndiqnim në shtëpi me fëmijët këtë. Tv Klan jepte një histori të prokurorëve të përgjithshëm, momenti që të gjithë shkonin drejt një fundi të caktuar dhe fëmijët shiko babi edhe ju kështu do përfundoni në fund të mandatit dhe po shihnin me hezitim edhe fëmijët kur po diskutohej kjo temë. 

Patët frikë se mund të ndodhte kjo. E menduat apo jo

Jo, nuk më shqetëson kjo pjesë. Nuk mendoj për fundin akoma, tani kam filluar dhe nuk kam arsye të mendoj për fundin. 

Z.Llalla nga vini? Cili është shkollimi juaj? Ku keni lindur?

Vij nga një familje shumë e persekutuar nga diktatura komuniste. Vij nga Gramshi. 

Çdo me thënë nga një familje shumë e persekutuar?

Gjyshi im është pushkatuar në vitin 1947. Im atë fillimisht u dënua me pushkatim, më pas kaloi në burgim të përjetshëm dhe bëri rreth 10-15 vjet burgim. Familja u internua për dhjetëra vite në kampe të ndryshme Tepelenë, Berat, pra histori vuajtjesh deri në vitit 90'. 

Gjatë kohës që ju ishit në krye të ILDKP a pati ndonjë penalizim ose ndonjë politikan ose njeri të administratës që u dënua për falsifikim apo mosdeklarim të pasurive?

Pothuajse çdo vit janë kallëzuar rreth 20 zyrtarë për fshehje apo mosdeklarimeve të pasurisë edhe për falsifikim. 

Z.Llalla a kishte presion politik në postin në krye të ILDKP?

Jo unë nuk kam ndjerë asnjëherë presion, këtë e them me sinqeritetin më të madh. 

Ishin normale raportet tuaja me znj.Rama?

Raportet me znj. Rama kanë qenë normale gjatë gjithë kohës, veç faktit se unë gjithmonë pata kundërshtuar vendimet jo të drejta të marra nga prokuroria për kallëzimet e bëra prej nesh, por kjo nuk ishte arsye të ndikonte në raportet e mia me znj.Rama. Në shumë raste kishim kontestuar vendimet e prokurorisë edhe publikisht. Pothuajse në të gjitha rastet që ne kishim kundërshtime në lidhje me vendimet e prokurorisë i patëm kundërshtuar edhe në rrugë gjyqësore edhe në shkallët e hierarkisë në prokurori edhe publikisht. 

Pra prokuroria ka mbyllur çështje për të cilat ju mendonit se mund të hetoheshin e të çoheshin në gjykatë?

Po, ky është një fakt për të cilin unë kam ngritur zërin vazhdimisht në krye të inspektoratit. Ishte një ndër problemet shqetësuese të punës që neve hasnim atje, pasi prokuroria në mënyrë të vazhdueshme ka pas mbyllur shumicën e çështjeve të kallëzuara prej nesh, vendimet të cilat unë kam gjykuar dhe gjykoj që gjithmonë kanë qenë të padrejta, i kam ankimuar në të gjitha format e parashikuar nga ligji. Edhe në takimet që pata pasur në dy raste me znj.Rama për të diskutuar në lidhje më këtë çështje pata parashtruar vërejtjet e mia lidhur me këtë problem. 

Do t'i rishikoni këto çështje z.Llalla tani që jeni në krye të Prokurorisë së Përgjithshme apo ligji nuk ua lejon më këtë rishikim?

Në varësi të fazës në të cilën ndodhen normalisht, pa i parë në kontekstin sikur unë këto çështje po i ndjek për një arsye të caktuar, por normalisht rastet më flagrante do t'i rishohim nëse ka mundësi për të filluar hetimet apo jo. 

Ndërkohë që votimi juaj në parlament mori nje numer votash të kënaq-shme, pati një votë kundër ose mungesën e një vote e cila ka një lloj, pavarësisht se votat janë të barabarta, ka një lloj sinjali në këtë drejtim. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli votoi kundër. A e keni idenë se përse ka votuar kundër?

Jo, znj.Topalli nuk votoi kundër, por nuk mori pjesë në votim. Nuk kam arsye të komentoj qëndrimin e znj. Topalli, nuk i di arsyet e saj, megjithatë unë vlerësoj qëndrimin institucion të Parlamentit Shqiptar. 

A do të keni ju aftësinë dhe a do jeni ju krejtësisht i pavarur nga politika si prokuror i Përgjithshëm?

Unë e besoj që po. Nëse drejtuesi i institucionit nuk bën kompromise politike nuk përfshihet në çështje politike, unë kam bindjen e plotë që do të jem i pavarur nga politika. E thashë edhe më herët çështjet e inspektoratit janë shumë herë më të ndjeshme se ato të prokurorisë. Në prokurori rreth mbi 90 për qind të rasteve nuk kanë të bëjnë me raportet politike. 

A do të jeni ju i aftë të hetoni çdo lloj politikani pavarësisht cilit spektër politik i përket nëqoftëse një çështje konkrete do të vijë në Prokurori, apo siç ndodh gjithmonë që politikanët do të jenë të pandëshkueshëm?

Pa diskutim që do të hetohet në mënyrë më të plotë, të gjithanshme dhe këtë ju siguroj ju dhe nëpërmjet jush gjithë opinionin. Ligjvënësi shqiptar ka shprehur vullnetin unanim që të heqë imunitetin për këdo zyrtar. Përfitoj nga rasti të nxis të gjithë qytetarët, të gjithë ata që kanë dijeni për raste të ndryshme të dyshuara për vepra penale që mund të kryejnë zyrtarë në rrethe të ndryshme, të denoncojnë të gjitha rastet pranë institucionit tonë, dhe i siguroj që do të ndiqen me përparësinë maksimale. 

Pra ju mendoni se do të jeni i aftë se do të hetoni qoftë edhe zyrtarë të niveleve të mesme apo të larta nëse ata kapen në shkelje të ligjit? 
Pa diskutim. Për këtë ju siguroj ju dhe këdo tjetër. 

Z.Llalla çfarë do të bëni ju me ato që quhen do-sjet më të nxehta, tani nuk po i përmend një nga një por që i njohim, që janë në proces ose në fund të procesit, si do të reagoni? 21 Janari, Gërdeci e shumë dosje të tjera, janë një seri dosjesh.

Do të ndiqen. Ato janë çështje që një pjesë e madhe e tyre janë në fazën e gjykimit. Normalisht do të kontrolloj veprimtarinë sesi prokurorët po i ndjekin këto çështje. Kjo është një detyrë e imja që do të ndjek ecurinë e procedimit, por janë çështje që ndiqen normalisht si të gjitha rastet e tjera. 

Një nga pyetjet më shqetësuese që vjen në këtë rast është afrimi i fushatës elektorale. A do të përfshihet Prokuroria e Përgjithshme në hetimin e çështjes që lidhet me njerëz që do të jenë protagonist në fushatë të njërës apo tjetrës palë. Pra a mund të përdoret politikisht Prokuroria nga forcat politike në funksion fushatës dhe zgjedhjeve të 23 qershorit?

Jo. Nëse prokuroria nuk vihet në shërbim të politikës, asnjëherë politika nuk ka sesi të përfitojë nga Prokuroria. 

Dy prej prokurorëve të njohur ai i Tiranës, z.Malaj dhe Stojani kanë dhënë dorëheqjen dy ditë më parë. Ka qenë një dorëheqje e sforcuar apo një zgjedhje e tyre?

Dorëheqja e Prokurorit të Tiranës është një veprim qytetar, që normalisht mund ta bëjë kushdo. Derisa në krye të një institucioni vjen një drejtues tjetër është normale që ai të punojë me një staf që ai e gjykon të nevojshëm. 

Të dy këta do të vazhdojnë të mbeten prokurorë?

Jo z.Stojani nuk është larguar me dorëheqje, por në Prokurorinë e Përgjithshme unë kam bërë një riorganizim tjetër të strukturës së Prokurorisë, ku drejtorinë që drejtonte z.Stojani do të drejtohet në vijim, deri në një moment që do e gjykojë të arsyeshme, nga vet unë. 

Pra e keni marrë vetë përsipër drejtimin e kësaj drejtorie?

Po, patjetër të Drejtorisë së Hetimit 

Z. Malaj do të jetë në Prokurori?

Po. 

Kush do të jetë Prokuror i Tiranës? 
Shumë shpejt, sot ose nesër unë do të gjykoj për emrin përkatës, pasi të marrë dhe konsultat. Brenda këtyre ditëve, provizorisht duhet të emërohet një Prokuror, pasi institucioni ka nevojë për një drejtues. Mund të jetë edhe z.Malaj. Z.Malaj ka dhënë dorëheqjen, por unë nuk kam vendosur ende për të pranuar apo jo dorëheqjen e tij. 

A do ketë largime të tjera?

Veprimi i Prokurorit të Tiranës është një veprim që unë e vlerësoj dhe do të sugjeroja edhe drejtuesve të tjerë, që vullnetarisht të kryejnë këtë veprim, në ato raste kur e gjykojnë të arsyeshme. Natyrisht që unë kam ardhur me një vullnet të gjerë të mbështetjes politike dhe të opinionit dhe do të synojë arritjen e qëllimeve të mia. Është normale që unë do të punoj me një staf që unë e gjykoj të arsyeshme. Mund të jenë dhe një pjesë e këtyre që janë, por mund të ketë dhe ndryshime. 

Z. Llalla po u bëjë dhe një pyetje që besoj se do tua bënin shumica e shqiptarëve; Nëse në detyrën tuaj do të jeni të detyruar të hetoni kryeministrin, kreun e opozitës, kryetaren e parlamentit, etj., a do të jeni i afta që do e bëni pa ndikim?

Ju siguroj që do ta bëjë pa asnjë lloj ndikimi. Këtë mesash përcjell për ju dhe për këdo tjetër që na dëgjon. 

A do të jeni i aftë të hetoni këdo përpara ligjit? 
Pa diskutim. Deri dje Prokuroria ka pasur vështirësi komunikimi me zyrtarët e niveleve të larta, pra zyrtarë që hezitonin apo nuk pranonin të paraqiteshin në prokurori në rastet kur kërkoheshin, apo nuk paraqiteshin provat e kërkuara, gjë e cila ju siguroi se nuk ka arsye dhe nuk do të ndodh më. 

Po e përsëris: Jini i sigurt se sa kohë do jeni në krye të institucionit Prokuroria nuk do të përfshihet në beteja politike dhe s'do të përdoreni politikisht në funksion të zgjedhjeve?

Është një lloj betimi që e bëjë mbi Kushtetutë, por për këtë ju siguroj që do të jem Prokuror i Përgjithshëm dhe nuk do të jem pjesë e politikës. 

Për ju cila është sfida më e madhe personale?

Ajo që është prioriteti i im është që Shqipërinë ta nxjerr nga ky batak, në të cilin gjykohet se ndodhet niveli i korrupsionit. Pra ky do të jetë prioriteti im, duke filluar nga radhët e prokurorëve për të vijuar tek ata që dyshohet se përfshihen ne skema korruptive.