TIRANË- Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, tha dje se Parlamenti ka amnistuar veprën penale të organizimit të tubimeve të paligjshme, dhe në këto kushte nuk mund të hetohen organizatorët e 21 janarit.
Në një intervistë për gazetarin Sokol Balla në emisionin “Top Story” në Top Channel, ai deklaroi se Prokuroria do të rihapë hetimet për puç nëse do të dalin elemente të tjera të veprës penale. “Momentalisht Prokuroria nuk ka asnjë të dhënë të re lidhur me këtë fakt”.
I referohemi atij teknikaliteti që Prokuroria nis edhe vetë nga pikëpamja ligjore, themi hetime apo dosje ndaj këtyre zyrtarëve. A do ta bëni ju këtë, apo do prisni reagimin nga institucioni që ju keni drejtuar?
Në momentet e para, që në ditët e para që shkova në drejtimin e Prokurorisë shqiptare, një nga të rejat që solla ishte hapja në faqen e Prokurorisë të rubrikës në të cilën qytetarët mund të denoncojnë të gjitha rastet që ata dyshojnë se janë kryer krime të ndryshme, përfshi edhe rastet e korrupsionit në radhët e administratës publike. Çdo ditë në adresën tonë vijnë me dhjetëra apo me qindra denoncime, ku i referohen institucionit tonë lidhur me dyshimet që ata kanë për të tilla raste. Pothuajse në mënyrë permanente nga ne kanë filluar procedime penale nga telefonatat apo denoncime nga qytetarët për raste të ndryshme.
Bëhet fjalë për raste të rëndësishme?
Po, po, për zyrtarë të rëndësishëm.
Mund të na thoni deri në ç’nivel bëhet fjalë?
Ka zyrtarë të nivelit të lartë, të cilët denoncohen nga qytetarët dhe për të cilët kanë filluar hetimet, hetime që mund të bëhen publike ditët në vijim.
Javën e fundit ka pasur një përballje akuzash nga dy kampet politike për çështje korrupsioni dhe konflikte interesi të familjarëve të qeveritarëve dhe politikanëve. A do nisni hetime për këto?
Në disa prej këtyre rasteve janë dorëzuar kallëzime nga Bashkia e Tiranës në lidhje me objektin e ndërtuar nga zonja Basha. Kallëzime të tjera nuk ka.
Në rastin konkret ka edhe një denoncim nga opozita për vajzën e Kryeministrit…
Për të gjitha këto raste janë në proces verifikimi para se të vendoset fillimi ose jo i procedimit penal. Dua të theksoj se organi i Prokurorisë, para se të vendosë fillimin ose jo të procedimit, kryen disa veprime verifikuese nëse ka elemente të veprës penale apo jo. Të gjitha këto raste janë në proces verifikimi dhe ditët në vijim do vendoset nëse do fillojnë apo jo hetimet.
Le t’i referohemi Gërdecit. Si mendoni se u hetua çështja e Gërdecit? A u hetua ajo si duhet, duke pasur parasysh që ishte edhe një dosje, referuar deklaratave të të ndjerit Kosta Trebicka? A mendoni se duhej pushuar ajo çështje?
Ajo çështje është në proces gjykimi, është në Apel. Pjesa tjetër, është pushuar çështja në Gjykatën e Lartë. Është një çështje e cila nuk mund të gjykoj për mënyrën se si është hetuar, aq më tepër që është në gjykim momentalisht. Nëse do ishte në proces hetimi në Prokurori, unë mund të merresha të shihja, ose nëse do ishte pushuar, mund të shihja si është hetuar apo pushuar. Përsëri se procedimi penal është në fazën e gjykimit, është një rast me të cilin unë mund të merrem.