Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i kërkon Gjykatës së Lartë të pezullojë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila e ka dënuar me 2 vite burg.

Kjo kërkesë është shqyrtuar më herët edhe nga dy gjykatat e shkallës së Parë dhe Apelit, por është rrëzuar prej tyre.

Ndërkohë e njëjta kërkesë ka shkuar në Gjykatën e Lartë, e cila ka caktuar datën 22 prill për ta shqyrtuar çështjen.

Mësohet se ish-prokurori i Përgjithshëm pretendon se çuarja e tij në qeli mund të sillte pasoja të rënda për shëndetin për shkak të një sëmundjeje që ai vuan prej kohësh.

Ndërkohë ai ndodhet aktualisht në Itali, vend ku u vetëdorëzua pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar.

Llalla ndodhet ne mbikqyrje nga autoritetet italiane në pritje të vendimit që do të marrë gjykata pas kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij.  

Ish-kreu i akuzës shqiptare u dënua nga Gjykata e Apelit me 2 vite heqje lirie për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë në 3 raste, si dhe u përjashtua për 5 vite nga funksionet publike.

Edhe gjatë seancës përfundimtare avokati i ish-kryeprokurorit kërkoi pezullim të dënimit me burg në rast të shpalljes fajtor, duke dorëzuar një akt-ekspertim që sipas tij vërtetonte një sëmundje të parikuperueshme të Llallës, por kërkesa u rrëzua.