TIRANE- Kërcënimi për marrjen peng të 300 fëmijëve dhe hedhjen e tyre në erë, ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Përgjithshme. Përmes një lidhjeje telefonike, Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka theksuar se tashmë institucioni i tij është vënë në dijeni të këtij fakti dhe se kanë nisur të gjitha procedurat e nevojshme për shqyrtimin e dosjes në fjalë. "Menjëherë pas leximit të lajmit në 'Gazetën Shqiptare', meqë unë nuk e njoh mirë si çështje, mund t'ju them se ka nisur shqyrtimi i dosjes së rastit të familjeve Shkreta dhe Llani", – thekson në një lidhje telefonike për "Gazetën Shqiptare", kryeprokurori Adriatik Llalla. 

Ai vë në dukje se, pasi të mbarojë shqyrtimi i çështjes, do të vendoset edhe se cila palë ka të drejtë. "Pas shqyrtimit të çështjes do të vendoset edhe fati i saj. Ne jemi angazhuar maksimalisht për këtë çështje, dhe vetëm kur të jem njohur plotësisht me faktet e dosjes, do të vendosim se cila palë ka të drejtë", – vijon biseda me Kryeprokurorin e Përgjithshëm të vendit. Madje, Llalla nuk përjashton as mundësinë e takimit me pjesëtarët e familjes Shkreta. "Pasi të jem njohur me çështjen, nuk përjashtoj as mundësinë e takimit me pjesëtarët e familjes Shkreta", përfundon biseda e Llallës.