TIRANE, 15 qershor 2013 – Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, zhvilloi një takim me drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore dhe Prokurorive të Apelit, për të diskutuar mbi problematikat e përballuara në 6-mujorin e parë të vitit 2013. 

Në këtë takim, në të cilin referuan edhe drejtuesit e rinj të strukturave në Prokurorinë e Përgjithshme, Llalla prezantoi prioritetet e punës në vijim, nisur nga fakti që pjesa më e madhe e drejtuesve të prokurorive të rretheve tashmë janë ndryshuar. 

Prokurori i Përgjithshëm ritheksoi përparësinë e institucionit gjatë mandatit të tij, luftën kundër korrupsionit. 

Gjithashtu, në frymën e amendimeve të fundit në Kodin Penal, u kërkua nga drejtuesit e prokurorive në nivel lokal që të azhornojnë praktikën e tyre, si edhe të aplikojnë një politikë më të ashpër penale për vepra si krimi në familje, hakmarrja dhe gjakmarrja. 

Po ashtu, Kryeprokurori ritheksoi rëndësinë e realizimit të transparencës së institucionit, por, siç theksoi ai “në respektim të plotë të ligjit përsa i përket sekretit hetimor”. 

Gjatë mbledhjes, drejtorët e rinj në Prokurorinë e Përgjithshme prezantuan planin e tyre për forcimin e aktivitetit institucional, si edhe për përmirësimin e problematikave të hasura deri më tani.