Një muaj pas shkrirjes së strukturës Antikorrupsion në Prokurorinë e Përgjithshme, kryeprokurori Adriatik Llalla ka vendosur shtimin e prokurorëve në këtë strukturë, e cila është ngritur posaçërisht për hetimin e zyrtarëve të lartë.
Bëhet fjalë për 8 prokurorë që do të transferohen në këtë njësi, ku njëri ndër ta është edhe Ramadan Troci, hetuesi që lëshoi fletë arresti ndaj ish-Guvernatorit Fullani dhe ish-kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika, shkruan gazeta “Mapo”. Një muaj më parë, Llalla njoftoi shkrirjen e kësaj strukture duke thënë se numri i procedimeve për zyrtarë referuar nga policia ishte shumë i vogël.
Por, kjo lëvizje e papritur e kreut të Prokurorisë së Përgjithshme për rikthimin e njësisë Antikorrupsion, vjen në kohën kur po debatohet për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Prokurorët e tjerë që të transferohen te kjo njësi janë Arenc Çela, Klodian Braho, Maksim Shota, Pranvera Hoxha, Sonila Domi, Manjola Llaci, Ornela Rrumbullaku.





