TIRANË- Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, priti në një takim të veçantë Shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadorin Ettore Sequi.
Në takim, Llalla falenderoi diplomatin Sequi, për mbështetjen që i është ofruar organit të Prokurorisë nga Bashkimi Evropian për forcimin e kapaciteteve hetuese dhe për përmirësimin e kuadrit ligjor.
Duke u ndalur në prioritetet e mandatit të tij, Llalla siguroi zotin Sequi se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të angazhohet maksimalisht për të forcuar besimin e publikut tek institucioni i akuzës, duke u fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sequi, i cili zhvilloi takimin e parë zyrtar me Prokurorin e Përgjithshëm, ofroi garanci të plota dhe mbështetje të Bashkimit Evropian për realizimin e objektivave prioritare të institucionit të akuzës, në kuadër të forcimin të shtetit ligjor në Shqipëri.