Lëvizjet në qeveri disa muaj para zgjedhjeve janë një nga temat e përfolura në korridoret e politikës pas kthimit nga pushimet.
E para që i konkretizoi fjalët ishte ministrja e Arsimit, Besa Shahini e cila deklaroi disa ditë më parë se do të largohej nga detyra në fund të këtij mandati dhe se do të kthehej në Kosovë. Sot ajo u zëvendësua në detyrë nga deputetja Evis Kushi.
Pas Shahinit, edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi se nuk do të jetë më ministër. Por sot Lleshaj duket se i ka dhënë përgjigje pyetjes nëse do ta mbajë postin e ministrit deri në 25 prill apo do të largohet më parë.
Në një deklaratë për mediat në Shkodër, Lleshaj tha se në zgjedhjet e 25 prillit të 2021 do të jetë ministër. Ai dhe konfirmoi se policia është e gatshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
”Policia do të jetë e aftë që të menaxhojë zgjedhjet, dhe Shqipëria do të ketë zgjedhjet më të mira në historinë e saj”– tha Lleshaj.
Më herët, Lleshaj deklaroi se nuk mund të ishte i përjetshëm dhe se do të largohej nga ministria, por pa dhënë një datë. Siç duket, ky vendim është shtyrë.





