Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka deklaruar se heqja e karantinës dhe masave të tjera kufizuese janë shfrytëzuar nga grupet kriminale, dhe sipas tij, kjo është arsyeja që javët e fundit ka patur disa ngjarje të rënda kriminale, si vrasje e atentate.

Në një mbledhje me drejtuesit qëndrorë dhe vendorë të policisë, Lleshaj theksoi se OFL por dhe struktura të tjera policore duhet të kufizojnë sa më shumë lëvizjet e personave të skeduar.

“Ky vit ka treguesit më të mirë deri tani. Por mos harrojmë që hapja do të shtojë edhe mundësitë e grupeve kriminale për të goditur, për të bërë atë punë për të cilën ato ekzistojnë. Raste e ditëve të fundit tregojnë që krimi do të shfrytëzojë çdo hapësirë të mundshme për të goditur. Kërkesa është që të shtohen përpjekjet për të ngushtuar hapësirat e veprimit të lirë të krimit. Këta persona që i kanë ende llogaritë e pambyllura me ligjin, duhet ta ndjejnë presionin e ligjit përmes kufizimeve që ligji ka parashikuar. Kufizimet jashtë ddhe kufizimet brenda vendit. Të dyja këto kufizime duhet të përdoren me efikasitet. Ka patur një periudhë të ndryshimit të ritmit të operacionit për shkak të pandemisë e cila tashmë ka përfunduar dhe kërkohet nga gjithë strukturat të vzhdojnë me ritëm të shtuar përpjekjen për goditjen e krimit të organizuar në pjesën e financave. Të parëve u vjen radha atyre që kanë llogari më të mëdha për të shlyer me ligjin. Besoj që kombinimi i përpjekjeve përmes OFL dhe planeve të tjera operacionale do të bëjnë që treguesit të vijojnë të përmirësohen.”