Teksa fliste në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se vettingun në polici i takon ta realizojë SHÇBA-ja, e cila është direkt nën varësinë e institucionit që ai drejton.

"Vetingun në polici i takon ta bëjë SHÇBA. Vettingu nuk është politik. Me gjithë respektin për presidentin dhe institucionin e Presidencës, po paragjykohet një institucion i rëndësishëm në vend siç është Ministria e Brendshme. MB është një institucion me rëndësi në vend, që bën më tepër sesa një proces vettingu. Standardi nuk është prekur aspak. Gjithashtu, as pavarësia e vettingut nuk është prekur. Ligji është kalimtar, ndërsa vettingu bëhet në çdo kohë. Kjo sepse edhe një polic që e kalon vettingun, nesër mund të bëhet pjesë e skemave mafioze dhe mund të largohet më tej. Pretendimi se SHÇBA komprementohet është absurd. Çdo hyrje në polici do i nënshtrohet vettingut", tha Lleshaj.

Ministri Lleshaj theksoi se nuk mundet që Presidenti të paragjykojë në këtë proces Ministrinë e Brendshme.