Ditën e sotme Komisioni i Medias dhe Edukimit, i cili kryesohet nga deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka thirrur në dëgjesë ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshajn.

Lleshja ka refuzuar ftesën duke mos marrë pjesë në komision ku në rendin e ditës ishte ndërhyrja e policisë në ambientet e fakulteteve.

"Policia ushtroi  dhunë ndaj studentëve dhe ky është një akt antikushtetues. Lleshaj bojkotoi degjesën në komision. Minisitri Lleshaj nuk erdhi në komision me urdhër të Ramës. Raportimi në komision është detyrim kushtetues. Bojkoti i degjeses është fyerje e rëndë për komisionin. Dëgjesat kanë qenë refuzim i perseritur i ministrave. Unë dua që t’i bëjë thirrje ministrave që të paraqiten dhe të mos shkelin mbi kushtetutën. Është turp i madh, vetëm në vendin tonë ndodh kur maxhoranca bojkoton një komision", tha Vokshi.

Edhe deputeti demokrat Luciano Boçi i bëri thirrje ministrit Lleshaj të linte axhendën e sotme dhe të shkonte të jepte llogari se pse studentët në Universitetin Juridik janë nxjerrë me dhunë nga godina.

"Policia kaloi të gjitha kompetencat në universitete, i intimidoi dhe i rrahu studentët. Disa ishin edhe civilë aty por duhen verifikuar, ndërsa policia nuk e bën këtë. Ministri e di që është ftesë dasme ardhja në komision, kësaj i trembet ai kërkesës së llogarisë",– tha Boçi.