TIRANE – Komisioni i Ligjeve thirri sot në një seancë dëgjimore kryetaren dhe nënkryetarin e KQZ-së lidhur me debatin për ndarjen e mandateve. Kryetarja e KQZ-së dha sqarime në lidhje me shkresën që administrata e Komisionit Qendror i ka dërguar Kuvendit në kushtet kur ndarja e mandateve nuk u votua në KQZ. Lleshi nënvizoi se kjo nuk është hera e parë që administrata e KQZ-së komunikon përmes letrave me parlamentin. 

Nga ana tjetër, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba theksoi se parlamenti nuk mund të pranojë të vihet në lëvizje nga një shkresë që siç tha ai, nuk mban firmën as të kryetares as të nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Kërkesa për seancën dëgjimore me krerët e KQZ-së u bë dje në mbledhjen e Komisionit nga deputetët e PS-së, të cilët u shprehën kundër relacionit të Edi Palokës që ndarjen e mandateve ta bëjë Parlamenti. 

Fillimisht ishte relatori i projektvendimit, Edi Paloka, që gjatë leximit të relacionit argumentoi përse Kuvendi duhet të ndërhyjë për të bërë ndarjen e mandateve. Sipas tij, në kushtet kur tre anëtarë të KQZ-së nuk votuan dhe nuk u arrit kuorumi i nevojshëm prej pesë votash për miratimin e vendimit, aktin tani duhet ta miratojë Kuvendi. 

“Në ushtrimin e kompetencës së caktimit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, Kuvendi nuk mund të marrë dhe as të zëvendësojë rolin dhe funksionet e KQZ-së. Për pasojë, rruga e vetme mbetet miratimi i vendimit të caktimit të mandateve duke u bazuar tërësisht në ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore të bërë nga Kuvendi për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Për këtë qëllim paraqitet projektvendimi përkatës dhe që është i njëjtë me atë që ka miratuar Kuvendi në vitin 2009”, – tha relatori Paloka. 

Por, për nënkryetarin e Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, nëse Parlamenti do ta miratojë këtë vendim, shënon një goditje të rëndë për procesin zgjedhor. “Sot jeni duke e futur Kuvendin, përmes këtij debati, në një precedent tejet të rrezikshëm, me pasoja të rëndësishme për proceset zgjedhore në Shqipëri, në një precedent shumë të rrezikshëm për aftësinë për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për procesin zgjedhor. Kuvendit dhe Komisionit po i japim atribute që nuk i takojnë”, u shpreh deputeti i PS-së.