Nga Andi Bushati
Sulmeve të ashpra të opozitës dhe shqetësimit të publikut për grabitjen spektakolare të dhjetë milionë eurove në aeroportin e Rinasit ministri i Brendshëm i është përgjigjur në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Në vend që të dilte me përunjësi dhe me ndjenjë përgjegjësie përpara shqiptarëve, ai ka bërë një enumeracion faktesh dhe insinuatash që mëtonin të shënjestronin koncesionarin e aeroportit.
Duhet thënë që një fillim se Sandër Lleshi nuk është përgjegjës për këtë strategji. Që prej 24 orësh, kjo larje duarsh nga faji është vendosur në zyrat e spin doctors-ave të Ramës, filozofia e të cilëve tashmë është e njohur: “sa herë ke një hall, shpall një armik”.
Sipas kësaj sjelljeje ministrja e linjës u detyrua që bënte një deklaratë që nga Berlini, ku damkoste me tone të ashpra kompaninë kineze.
Edhe Sandër Lleshi nuk bëri asgjë më tepër. Gjenerali u soll njësoj si ato velinat që i nxjerrin në tribunat e partive për të recituar tekstet e hartuara më parë në zyrat e liderëve. Me një fjalor prej demagogu ai ka numëruar paratë që qytetarët i paguajnë koncesionarit, mospërdorimin e tyre për rritjen e sigurisë, dështimin e përmbushjes së parametrave nga kinezët dhe ka premtuar se firmës private këtej e tutje shteti do ti vërë kufirin tek thana.
Gati, gati të dukej sikur po ta dëgjoje dhe pak do të bindeshe se edhe nëna që e polli Admir Mahmutaj nuk ishte një malësore nga bjeshkët e Tropojës, por një grua nga azia e largët.
Po ta ndiqje seriozitetin dhe bindjen me të cilën fliste kundër kinezëve mund të harroje të bëje disa pyetje të thjeshta.
Po për Mahmutajn që është prej 6 vitesh i pakapur, policia nuk kishte asnjë faj? A nuk të bën të dyshosh fakti se autori i së paku tre vjedhjeve spektakolare ishte ende i lirë? Po “rastësia” se ai godiste gjithnjë rreth zonës së aeroporitit, a nuk duhet ta shtynte policinë të thellohej në hetimin e këtyre grabitjeve të përsëritura? Po nëse shteti sot krekoset se do të marrë masa kundër kompanisë së aeroportit, a nuk i mjaftuan rastet e mëparshme për ta bërë këtë?
Të mendosh se qeveria dhe uniformat blu janë pa faj në ngjarjen që u bë super lajm botëror do të thotë të jesh naiv.
Të besosh pastaj se këtë mund tu’a shesësh shqiptarëve si të vërtetë do të thotë ti marësh ata për idiotë.
Pikërisht këtë u përpoq të bëjë Gjeneral Sandër Lleshi duke u shndëruar në një vegël qorre të spin doctor-save të Ramës.
Por e keqja e kësaj historie nuk qëndron tek manipulimi. Ajo që ka ndodhur është e qartë si drita e diellit dhe nuk ka pehlivan që mund ta devijojë.
Këtu problemi është më i madh. Ai qëndron tek transformimi i policisë së Lleshit në një trupë që i shërben propagandës politike.
Vetëm pak ditë më parë, pasi opozita provoi me anë të përgjimeve, se një kapter nga Fieri kishte manipuluar një dëshmitar si Albert Veliu, në mënyrë që drejtësia të vërtetonte atë që pati thënë kryeministri për Agron Xhafën, ai u gradua drejtor policie i këtij qarku.
Po të shkojmë më tej, faktet bëhen edhe më të rënda. Lapsi.al denoncoi para pak kohësh vënien e snaiperave të policisë në shërbim të televizioneve të pushtetit. Atyre që detyra ia do, për arsye sigurie, të ndjekin nga kullat e larta mbi bulevard protestat që zhvillohen aty, shpërndanin në kohë reale imazhet e gurahedhësve nga taraca e PD-së.
Duke u shtuar këtyre edhe dhunën e shproporcionuar në protesta dhe bllokadën që u bëri gazetarëve për të raportuar për ngjarjet e bregut të lumit, nuk është vështirë të kuptohet se policia e gjeneral Lleshit po degradon në një vegël të rëndomtë politike.
Për tu kthyer tek ngjarja e fundit, ku ajo po përdoret sërish si alibi për hallin e Rilindjes, duke krijuar një panoramë të shproporcionuar mes mëkateve të privatit dhe shtetit, e keqja nuk qëndron vetëm tek përpjekja për manipulim.
Por duke dashur ta shfajësojë policinë, duke u përpjekur ta eksportojë fajin, Sandër Lleshaj po sillet si një gjeneral që po e vë në gjumë ushtrinë e tij.
Duke nxituar ti shërbejë Ramës ai po formëson një trupë që nuk lufton me të keqen reale, por me fantazitë orruelliane që shpikin krerët e saj.
Prandaj kur të ndodhë krimi i ardhshëm, mos prisni policë që të ndjekin autorët, por autorë që do jenë duke shpikur fantazinë alibike të radhës. /lapsi.al