TIRANË, 18 mars 2013- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta përfundojë brenda muajit mars vendimmarrjen për vendndodhjen e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 qershorit.
Në fillim të mbledhjes së sotme të KQZ-së, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj shprehu shqetësim lidhur me vonesat për vendndodhjen e qendrave të votimit, si për ato që do të ngrihen në ambiente private, ashtu dhe për ato në ambiente publike.
"Një muaj më parë ne gjobitëm ato njësi vendore që nuk i kishin respektuar afatet për QV-të. Sot jemi të vonuar dhe kjo çështje duhet të merret në diskutim nga KQZ", – tha Gjonçaj.
Në përgjigje të këtij shqetësimi, kryetarja e Komisionit Lefterije Lleshi tha se administrata zgjedhore ka punuar për vendndodhjen e QV-ve edhe në fundjavë. "Procesi më duket se është përmbushur dhe vendimmarrjen për të gjitha QV-të, si për ato në ambiente publike dhe për ato në ambiente private, do ta kemi shumë shpejt në tavolinë, për ta mbyllur brenda marsit", – u përgjigj znj. Lleshi.
Mbledhja e sotme e KQZ-së po vijon me shqyrtimin nen për nen të rregullores së brendshme të Komisionit, ndërsa në rend dite është parashikuar dhe diskutimi i një ndryshimi në udhëzimin për detyrat e Policisë së Shtetit në zgjedhje, si dhe shqyrtimi i raporteve të ndërmjetëm të auditëve teknicienë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, në procesin e hartimit të listave.