Në vigjilje të ndeshjes të së dielës ndaj Dinamos, në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 18:00 ka folur Matias Lloci. Mesfushori i Teutës, ka analizuar këtë takim. Lloci shprehet se Teuta pas një jave të mirë ndaj Dinamos do të kërkojë tri pikët. Mesfushori i bluve shprehet se në këto momente s’do parë renditja, por të marrë ndeshjet një e nga një.
A është gati Teuta për duelin ndaj Dinamos?
Nuk ka ndeshje të lehta, pasi në Superiore çdo rival është i rrezikshëm. Kemi nxjerrë gabimet e duhura nga sfida si ajo me Vllazninë dhe tashmë po përgatitemi që të jemi gati për të dielën. Pas një rezultati shumë të mirë si ajo e kaluara, duhet të vijojmë të marrim pikët.
Një trepikësh këtë javë do t’ju bënte shumë punë, si e shihini?
E dimë që është shumë e rëndësishme, sidomos pas 3 rezultateve pozitive radhazi në këto javë. Kemi fituar 1 ndeshje dhe kemi barazuar 2. Duhet të vijojmë më këtë ritëm që të arrijmë te suksesi.
Si po shkojnë përgatitjet para kësaj ndeshje?
Si për çdo ndeshje. Kujdesimi për aspektin mbrojtës dhe atë sulmues. Normalisht që për të fituar duhen bërë gjërat e duhura. Personalisht jam gati.
Si Teuta dhe Dinamo vijnë në këtë ndeshje pas momenteve jo të mira. Sa jua vështirëson kjo dhe a besoni te fitorja?
Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak a shumë e njëjta. Unë mund të flas për ekipin tim, jo Dinamon. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi, entuziazmi, që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme.
Tashmë ekipet pranë jush janë afër me pikë, besoni se do të ngjiteni ende në renditje?
Në këtë moment që ndodhemi, nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet e vendeve të sipër nesh. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet tona sfidë pas sfide.
Cilët janë objektivat tuaj për këtë fundsezoni?
Qëllimi primar është përmirësimi dhe deri tani ia kam dalë me sukses. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë e të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur.