8 shtator 2015 – Kur kanë mbetur 180 minutat e fundit të kualifikueseve, futbolli i luajtur i ngjason një sfide në shah. Taktikat në fushë shkojnë paralel me llogaritë në letër për të arritur objektivin e kualifikimit në Euro 2016. Në rastin e Shqipërisë, ekzistojnë disa skenarë për të siguruar biletën direkte në Francë. Në dy ndeshjet e mbetura, kombëtarja duhet të marrë të paktën dy pikë ose një fitore, për të siguruar vendin e dytë në Grupin I.
Nëse Portugalia fiton me Danimarkën më 8 tetor, kuqezinjve mund t’u mjaftonte një sukses hipotetik përballë Serbisë. Minimalisht ekipi i De Biasit nuk duhet të humbasë në ndeshjen e fundit në Elbasan Arena dhe më pas të synojë një pikë edhe në Armeni.
Fati i kombëtares është i lidhur ngushtë me sfidën në Braga. Situata komplikohet nëse danezët barazojnë në tokën luzitane, duke bërë që Shqipërisë t’i nevojitet me patjetër një fitore në dy takime. Nëse Danimarka triumfon në Portugali, atëherë misioni bëhet më i vështirë. Kuqezinjtë do të detyroheshin t’i fitonin të dyja ndeshjet e tetorit për t’u kualifikuar direkt në Francë.
/portali DurresLajm/