Lulëkuqja i përket familjes së bimëve Papaveraceae, ku bëjnë pjesë 125 specie. Ajo është shumë e përhapur anës rrugës apo nëpër fusha, duke i ngjyrosur ato me të kuqe. Farat dhe petalet e lulëkuqes kanë efekt qetësues, ndërsa nga lulëkuqja e opiumit (Papaver somniferum), nxirret morfina.

Lulëkuqja është shumë e thjeshtë për t'u kultivuar dhe ka qenë gjithnjë objekt legjendash e besimesh popullore. Në mitologji besohej se ajo ishte lulja e ngushëllimit. Kjo simbolikë lidhet me figurën e Demetrias, perëndeshën e fushave dhe të korrave. Sipas legjendës perëndesha rifitoi qetësinë pas humbjes së të bijës vetëm pasi mbolli mes prodhimeve të tjera në fushë edhe lulëkuqe. Gjatë Luftës së Parë Botërore në Britaninë e Madhe lulëkuqet përdoreshin për të kujtuar ushtarët e rënë për atdheun.
Përveç simbolikës së ngushëllimit, lulëkuqes i atribuohet edhe kuptimi i thjeshtësisë.
Ndërsa në disa vende kjo lule simbolizon dyshimin, befasinë, gjumin e përjetshëm, harresën dhe imagjinatën.
Pavarësisht se në gjuhën shqipe kjo bimë njihet me emrin lulëkuqe, atë e gjejmë edhe në ngjyra të tjera.
Lulëkuqja e bardhë simbolizon ngushëllimin, gjumin dhe fatkeqësinë.

Lulëkuqja e verdhë simbolizon pasurinë dhe suksesin.

Lukëkuqja rozë përfaqëson gjallërinë dhe qetësinë.

Lulëkuqja e kuqe është simbol i harresës, gjumit dhe ndjenjave të zemrës. Mund të përfaqësojë edhe krenari dhe kënaqësi.
R.O.





