Një studim sugjeron se lloji specifik i ujit që pini mund të rrisë rrezikun për sëmundjen e Parkinsonit. Parkinsoni, nga i cili vuajnë rreth 1 milion amerikanë është një çrregullim neurologjik progresiv i shkaktuar nga vdekja e qelizave nervore në tru që prodhojnë dopaminë.

Mungesa e dopaminës çon në dridhje, probleme me ekuilibrin, ngurtësi dhe vështirësi në të folur, simptoma që përkeqësohen me kalimin e kohës. Sëmundja mendohet se është në rritje në SHBA, gjë që ekspertët e lidhin me ekspozimet mjedisore si ndotja dhe pesticidet.

Tani, studiues në Nju Jork dhe Arizona janë përqendruar te burimet e ujit të pijshëm. Ekipi analizoi më shumë se 12,000 persona me Parkinson dhe mbi 1 milion pa sëmundjen, të cilët jetonin pranë pikave të monitorimit të ujërave nëntokësore. Ata zbuluan se personat që merrnin ujë nga burime më të reja nëntokësore, të krijuara në 75 vitet e fundit, kishin 11% më shumë gjasa të diagnostikoheshin me Parkinson krahasuar me ata që përdornin burime më të vjetra. Gjithashtu, ata që furnizoheshin me ujë nga akuiferë karbonatikë, shtresa nëntokësore shkëmbore që mbajnë dhe transmetojnë ujë, kishin deri në 62% më shumë gjasa të zhvillonin Parkinson krahasuar me ata që përdornin burime akullnajore.

Ekspertët besojnë se ujërat nëntokësore më të vjetra zakonisht kanë më pak ndotës, sepse vijnë nga thellësi më të mëdha dhe janë më të mbrojtura nga ndotja sipërfaqësore, si metalet e rënda dhe pesticidet. Akuiferët janë shumë të përhapur në SHBA dhe furnizojnë rreth 145 milionë amerikanë me ujë. Akuiferët akullnajorë, të formuar gjatë epokës së akullnajave, mendohet se ofrojnë filtrim natyror më të mirë, pasi përbëhen nga rërë dhe zhavorr. Rreth gjysma e ujit të pijshëm në SHBA vjen nga burime nëntokësore.

Studiuesit theksojnë se studimi, që pritet të prezantohet në takimin e 78-të vjetor të Akademisë Amerikane të Neurologjisë, nuk provon se ujërat më të reja nëntokësore shkaktojnë Parkinson, por tregon se mund të ekzistojë një lidhje. Autorja e studimit, Brittany Krzyzanowski nga Atria Research Institute në Nju Jork, tha:

Fondacioni i Parkinsonit vlerëson se deri në vitin 2030 rreth 1.2 milion amerikanë do të diagnostikohen me këtë sëmundje, ndërsa çdo vit regjistrohen rreth 90,000 raste të reja, një rritje prej 50% krahasuar me një dekadë më parë.

Rezultatet treguan se uji nga akuiferët karbonatikë lidhej me një rrezik 24% më të lartë për Parkinson krahasuar me burime të tjera. Kur krahasohej me akuiferët akullnajorë, rreziku rritej deri në 62%. Ujërat nëntokësore të 75 viteve të fundit lidhen me 11% rritje rreziku krahasuar me ujërat shumë të vjetra.

Sipas studiuesve, në sistemet karbonatike uji i ri është më i ekspozuar ndaj ndotjes sipërfaqësore, ndërsa uji i vjetër mund të mbetet më i pastër nëse është i izoluar nga shtresa mbrojtëse. Ndërkohë, akuiferët akullnajorë e ngadalësojnë lëvizjen e ujit dhe e filtrojnë natyrshëm ndotjen. Ekspertët shtojnë se zierja e ujit dhe përdorimi i filtrave shtëpiakë mund të ndihmojë në largimin e disa ndotësve.