Gjermani, 19 korrik 2014 – Joachim Loew do të qëndrojë në pankinën e Gjermanisë edhe gjatë Euro 2016. Konfirmimi zyrtar vjen nga Federata Gjermane e Futbollit edhe pse ky është një qëndrim i pritshëm pasi edhe në rast dështimi në botëror, federata kishte konfirmuar besimin për të edhe në të ardhmen. Lajmin e bën të ditur kreu i institucionit, Wolfgang Niersbach, sipas të cilit, të gjitha çështjet janë zgjidhur dhe tashmë kombëtarja duhet të shikojë përpara për sfidën e radhës kundër Argjentinës në 3 Shtator.
Njoftimi i Niersbach erdhi gjatë mbledhjes së asamblesë në Bad Goegging. Pas suksesit në Brazil, Loew u shpreh se do të merrte disa ditë pushim përpara se të diskutonte me Niersbach për të ardhmen. Kontrata e tij ishte rinovuar deri në vitin 2016 përpara se të niste aventura e botërorit. Loeë e ka marrë drejtimin e Gjermanisë në vitin 2006 pas largimit të Jurgen Klinsmann.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





