Bordi i Transparencës priti thuajse një javë për t’u mbledhur sërish dhe për të lënë në vend çmimin e naftës.

Nga sot prej orës 18:00, nafta me pakicë në Shqipëri do të tregtohet me çmimin 240 lekë/litër.

I njëjti çmim që ishte edhe ditë më parë, kur në bursë çmimet luhateshin shumë më të ulëta. Edhe sot, në bursë është e njëjta situatë. Çmime shumë më të ulëta se ato që bordi vendos të aplikojë në vend.

Data 8 korrik: mbledhja e parafundit e Bordit të Transparencës vendosi çmimin që e la të pandryshuar edhe sot. Ndërkohë, në atë datë çmimi i naftës në bursë ishte rreth 106 dollarë për fuçi.

Sot, ku Bordi u mblodh sërish, çmimi i naftës në bursë ka rënë ndjeshëm në rreth 97 dollarë për fuçi. E megjithëkëtë rënie, Bordi e ka parë të arsyeshme që mos të lëvizë asnjë qindarkë në çmimin e naftës.

E njëjta “logjikë” është ndjekur edhe në vendimmarrje më të hershme, kur çmimi i naftës në bursë dhe çmimi i vendosur nga bordi ishin vektorë me kahe të kundërta. Në 5 korrik Bordi ishte mbledhur për ta çuar çmimin naftës në plot 252 lekë/litër. Çmimi në bursë? Rreth 102 dollarë për fuçi.

Ajo që është e pakuptueshme në vendimmarrjet e bordit, është logjika dhe metoda që përdorin për të përcaktuar çmimet e karburanteve në vend.

Kur çmimi në bursë bie në 97 dollarë/fuçi, pse në Shqipëri nafta vijon të shitet me 240 lekë/litër?