Nga Andi Bushati

Gara e sapohapur për kreun e PD-së po vë në dukje falsitetin e palëve që janë në lojë. Më shumë sesa për interesin e qytetarëve, për mënyrën e të bërit opozitë dhe për të ndërtuar të nesërmen, ato po duken të interesuara të marrin përkrahjen e një fosileje politike si Sali Berisha.

Lulzim Basha e rakordoi deklaratën e ngrirjes, madje dhe datën e shkrirjes në zyrën e tij. Ai, me gjithë gjëmën që i ndodhi, nuk pati guxim të thotë se një pjesë e saj erdhi edhe për faktin se nuk u nda dot nga trashëgimia e qeverisjes së keqe të katër viteve më parë. Ai edhe në fushatë përjashtoi gjithë gardën e vjetër, por ruajti me kokëfortësi si një aset të rrallë, njeriun që shqiptarët vazhdojë ta refuzojnë me këmbëngulje.

Por, nëse për Bashën dihet, nëse për atë shumëkush mendon se nuk mund të ekzistojë qoftë edhe një ditë më tepër në PD pa mbështetjen e liderit historik, çudi po bën fakti se edhe kundërshtarët e tij po duan të marrin mbështetjen e Berishës për të mundur kryetarin e ngrirë.

Të gjithë ata që kanë qëlluar me artileri të rëndë kundër njeriut që i humbi 200 mijë vota PD-së (14 mandate deputetësh) po e përjashtojnë automatikisht nga përgjegjësia e kësaj humbjeje doktorin. Ata edhe kur pyeten drejtpërdrejt i dredhojnë përgjigjes, nuk guxojnë ta prekin këtë tabu dhe kritikojnë Bashën edhe për ato mëkate që ia kanë falur për vite me radhë Berishës. Ata bëjnë sikur harrojnë se PD e shpenzoi një pjesë të mirë të këtij mandati duke mbrojtur trashëgiminë e së shkuarës, se në të enjten e parlamentit tonet e politikave të demokratëve i caktonte Berisha, se në studiot televizive që shfaqej, ai kishte dyfishin e audiencës së pasardhësit, se socialistët atë e vendosën si targetin kryesor të goditjes. Pra shkurt, se më 25 qershor, shqiptarët votuan edhe pro apo kundër Berishës.

Natyrisht Lulzim Basha ka përgjegjësi maksimale që nuk e shmangu dot këtë fat. Ai duhet të largohet ndoshta përgjithnjë nga politika edhe për faktin se nuk arriti të bëhet më shumë sesa kopja e origjinalit. Por ta luftosh atë duke propozuar një kopje të ndryshme të të njëtit model, është një mjerim i madh.

Sepse përpara se të ndahet me Bashën, PD-ja duhet të gjejë forcë të ndahet me Berishën. Pa prekur këtë tabu, pa hapur debatin mbi thelbin e problemit, gjithçka në këtë parti është e kotë. Me apo pa Bashën ajo do të mbetet një humbëse e madhe.