Pas publikimit të letrës nga PD, ku sipas kësaj të fundit denoncoheshin punësimet nepotike në strukturat shtetërore, konkretisht në administratën e burgjeve, ka ardhur një reagim nga deputeti socialist Taulant Balla, duke e cilësuar thjesht një sajesë të opozitës.
Balla ka zgjedhur të kundërpërgjigjet në mënyrë ironike, duke lexuar një letër që Arben Ristani ia ka dërguar kryeministrit Sali Berisha, përmes së cilës shpreh konsideratat e tij për Lulzim Bashën. Në letër thuhet se Basha nuk frymëzon askënd në PD, ndaj është e rëndësishme që Berisha të rimarrë situatën në kontroll.
Në fakt letra nuk është e vërtetë, por e sajuar aty për aty. Arsyeja përse deputeti e publikoi këtë letër të rreme, është për të treguar se sa e lehtë është të shkruash një trillim në kompjuter e ta printosh në një fletë të bardhë.
“I dashur Doktor, protestat tona nuk arrijnë të mbledhin njerëz pasi Luli nuk frymëzon më askënd. Prandaj në emër të gjithë të vjetërve në PD, ju lutem të rimerrni situatën në kontroll. Është tejet e rëndësishme që në protestën e radhës të mbani dhe ju një fjalë, që të paktën njerëzit e pranishëm në protestë, por edhe ne deputetët dhe drejtuesit në PD të marrin pak kurajë dhe guxim. Juaji përjetësisht, Arben Ristani”, shkruhet në letrën e sajuar.
Më tej, Balla thekson se letra që Ristani paraqiti sot para medieve, është shpifja e radhës e Shqup-it, në të cilin ka një departament të veçantë të fabrikimit të dokumenteve, letrave dhe email-eve të sajuara.
“Kaq poshtë ka rënë opozita e sotme. Ajo letër është po aq e vërtetë sa edhe kjo letra, që unë paraqita përpara jush sot. Dhe kjo është e turpshme. Është i turpshëm niveli ku ka arritur Partia Demokratike. Të gënjejë dhe të shpifë, të fabrikojë letra të paqena dhe të falsifikojë korrespondenca mes zyrtarëve të lartë të shtetit, nuk është vetëm papërgjegjshmëri. Kjo është kriminale”, deklaroi Balla.
S.L.