TIRANE, 31 tetor 2013– Seanca e sotme e Kuvendit po karakterizohet nga debate të forta dhe akuza të ndërsjella mes palëve, lidhur me aksionin e Policisë së Shtetit për lojërat e paligjshme të fatit. Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i pari që nisi serinë e akuzave ndaj mazhorancës qeverisëse për ato që i cilësoi si sulme të padrejta ndaj kompanive, me qëllim favorizimin e monopoleve të saj. Nga ana tjetër, kryeministri Rama, duke shprehur vendosmërinë për të çuar deri në fund luftën kundër krimit ekonomik, tha se aktiviteti kriminal me lojërat e fatit ishte mbuluar nga paraardhësi i tij Berisha dhe ministri i Punëve të Brendshme. Ish-kryeministri Berisha u kundërpërgjigj duke thënë se qëllimi i aksionit kundër lojërave të fatit ishte shkrirja e policisë kriminale, që sipas tij dispononte dosje që implikonin kryeministrin e ministrat me bandat kriminale. Por shefi i qeverisë e ironizoi deklaratën e Berishës, duke thënë: “Kush e ndjek këtë seancë, kur dëgjon këto klithma dhimbjeje për lojërat e fatit dy rrugë ka për të menduar, ose një bixhozxhi që ka humbur lekët ose një kryeministër që ka fituar lekë nga kjo punë.”
Kuvendi pritet të votojë sot në seancë plenare dekretin e Presidentit Nishani për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Kandidatura e Dedjas u votua me shumicë votash në Komisionin e Ligjeve.
Në rendin e ditës janë për shqyrtim edhe dy projekt/ligje: “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Indisë, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin” dhe Projektligji “Për sigurinë në anije dhe në porte”. Më pas do të ketë diskutime 60 minuta për çështje jashtë rendit të ditës.
LOJËRAT E FATIT, RAMA: AKTIVITETI KRIMINAL MBULOHEJ NGA KRYEMINISTRI E MINISTRI I BRENDSHEM
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave të paraardhësit të tij Berisha, në lidhje me aksionin për lojërat e paligjshme të fatit. Shefi i qeverisë tha se krimi ekonomik me lojërat e fatit nuk ishte regjistruar në asnjë raport të Policisë, dhe ky fakt sipas Ramës, dëshmon mbulimin e këtij aktiviteti të paligjshëm nga kryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme.
“Lojërat e paligjshme të fatit përcaktohen në ligjet e Republikës së Shqipërisë si krim ekonomik. Ky krim ekonomik në formën e një veprimtarie kriminale të mirëorganizuar ka lulëzuar në çdo cep të Shqipërisë, në çdo lagje të kryeqytetit, në çdo lagje të qyteteve të mëdha dhe të vogla, duke shkatërruar përditë jetë familjesh, duke shkatërruar djem të rinj e burra të papunë. Si ka mundësi që në gjithë këtë bahçe bixhozi, në gjithë këto lule të mbjella në ruleta, nuk ka një raport të vetëm të shkruar nga cilido qoftë në zinxhirin e krimit ekonomik në policinë e shtetit. Kjo mund të ndodhi vetëm nëse ky aktivitet kriminal ka mbulimin politik të kryeministrit dhe ministrit të brendshëm. Askush tjetër nuk mund ta garantojë një aktivitet të tillë kriminal. Është i pamundur të mbulohet ky aktivitet kriminal që zhvillohet përditë në sytë e të gjithëve.”- deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi vendosmërinë e tij për të çuar deri në fund luftën kundër krimit ekonomik. “Këto salla dhe kompjutera ilegalë ishin të lidhur me sistemin ilegal të ministrit të brendshëm dhe kryeministrit. Nuk ka asnjë mundësi tjetër në botë që kjo të ndodhi.
Dhimbjet sapo kanë filluar, lufta jonë me krimin e organizuar dhe posaçërisht me krimin ekonomik do të jetë e pashpirt dhe ne do ti shkojmë deri në fund kësaj lufte me çdo çmim. Kush është i ngatërruar me ato zorrë, do të ketë dhimbjet e barkut dhe fatkeqësisht qendra e atij barku është këtu në parlament. Ne nuk mund t’jua lehtësojmë dot ato dhimbje.”- deklaroi Rama.
Shefi i qeverisë garantoi shkatërrimin e të gjitha monopoleve në vend, për ti hapur rrugë konkurrencës së ndershme.
“Kush akuzon se ne po sulmojmë kompani për të hapur kompani, e ka bërë vetë. Kush akuzon se ne i marrim vendimet brenda mureve të shtëpisë, e ka bërë vetë. Dallimin e bënë shumë të qartë shqiptarët më 23 qershor. Është një dallim që do ta bëjmë përditë e më të dukshëm. Në këtë republikë do të respektohet cilido që zbaton ligjin.”- deklaroi Rama.
REAGON BERISHA: OPERACIONI PËR LOJËRAT E FATIT, PËR TË SHKRIRË POLICINË KRIMINALE
Ish-kryeministri Berisha i cilësoi gënjeshtra deklaratat e shefit të qeverisë, duke thënë se synimi kryesor i aksionit kundër lojërave të fatit ishte shkrirja e policisë kriminale. Sipas Berishës, “kjo polici dispononte dosjet që implikonin kryeministrin dhe ministrat e qeverisë për lidhje me bandat kriminale.”
“Gënjeshtar kongenital, thotë nuk është marrë asnjë veprim, shkritë policinë kriminale për shkak të dosjeve për ju, ka bërë kaq denoncime, ja ku e keni Fidelin një nga kalorësit e lojërave të bixhozit. Aksioni kishte qëllim ti hapte fushën vëllaçkos me hakmarrjen për drejtësi që po fut qindra makina çdo ditë, cilin keni çuar në gjykatë, në prokurori, flisni për krim ekonomik pa kriminelë, jeni qesharakë të pabesueshëm, e bëtë operacionit për ti hap rrugën hakmarrjes dhe lidhjes që keni me të, për të shkrirë policitë kriminale që kishte dosjet tuaja për lidhjet me bandat nga e Lushnjes, tek hakmarrja. Ky është shteti i dordolecit, ti je qesharak, po pallatin e zonjës së fundit që e ke në kundërshtim me kushtet ligjore, kur do ia vësh minat ti. Ti mendon se shqiptarët mund ti mashtrosh, por ata do të japin përgjigjen e merituar dhe shumë shpejt”- tha Berisha.
Në kundërpërgjigje, kryeministri Rama ironizoi deklaratën e Berishës, duke thënë: “Kush e ndjek këtë seancë, kur dëgjon këto klithma dhimbjeje për lojërat e fatit dy rrugë ka për të menduar, ose një bixhozxhi që ka humbur lekët ose një kryeministër që ka fituar lekë nga kjo punë.”





