7 tetor 2015 – Serbia do të vijë në Shqipëri për të luajtur futboll dhe jo për luftë. Ky është thelbi i intervistës së mesfushorit Luka Milivojevic në konferencën për shtyp pak orë përpara nisjes për në Tiranë.

“Nuk duhet të mendojmë për tensionin që krijohet për çështje të tjera sepse kjo është një ndeshje futbolli si gjithë të tjerat. Jam i bindur se ne kemi një skuadër më të mirë se Shqipëria dhe duhet të jemi agresivë që në minutat e para për të zgjidhur ndeshjen. Të gjithë duam të fitojmë, ne, populli serb. E dëshirojmë një gjë të tillë më shumë se çdo gjë tjetër”. 

Më pas fjalën e mori mbrojtësi Stefan Mitrovic, i cili u bë protagonist në sfidën e Beogradit duke ulur në fushë dronin me simbolet shqiptare. “E kam thënë edhe më parë se sërish do të bëja të njëjtin veprim. Nuk kam pasur asnjë problem sepse kam luajtur me shqiptarë në të njëjtën skuadër. Shpresoj të jem në fushë kundër Shqipërisë por vendimin do ta marrë trajneri Çurçiç. Nuk mendoj se do të kemi probleme në Shqipëri sepse ata po bëjnë përgatitjet maksimale në mënyrë që të sigurojnë një ndeshje të qetë dhe shpresoj që gjithçka të kalojë përmes sportivitetit”.

Në të njëjtën linjë qëndroi edhe Nenad Tomovic që theksoi se skuadra është shumë e motivuar dhe dëshiron të tregojë se meriton një vend më të mirë në klasifikim. Mbrojtësi i Fiorentinës shtoi gjithashtu se dështimi i Serbisë në këto eliminatore u vendos nga shkaqe që nuk lidhen me fushën e blertë, ndërsa e përfundoi deklaratën e tij duke thënë se lojtarët shqiptarë mund të jenë provokues por shokët e tij të skuadrës nuk duhet të reagojnë.

/portali DurresLajm/