Lamin Jamal dhe Niko Uilliams janë që tani protagonistë absolutë të Spanjës dhe të futbollit europian. Edhe pse shumë të rinj në moshë, dy krahët e sulmit të iberikëve kanë treguar se çfarë janë në gjendje të bëjnë dhe shifrat e regjistruara në Euro 2024 e vërtetojnë më së miri.

Jamal dha ndaj Gjeorgjisë asistin e tij të dytë në këtë turne, duke u bërë adoleshenti i parë që arrinte këtë shifër që kur e kishte bërë një gjë të tillë Kristiano Ronaldo në vitin 2004. Në anën tjetër, Uilliams ishte ai i cili shënoi golin e rezultatit 3-1, duek u bërë lojtari i tretë më i ri në historinë e Spanjës pas Fabregas dhe Ferran Torres që shënonte në një Europian.

Nëse Jamal tund rrjetën gjatë këtij turneu, rekordi do i shkojë atij. Të dy krahët e sulmit ishin të jashtëzakonshëm në këtë sfidë ndaj Gjerogjisë dhe së bashku regjistruan 12 gjuajtje në portë, krijuan 9 raste shënimi, prekën topin 160 herë, kompletuan 96 nga 102 pasimet e tyre dhe tentuan 19 driblime. Uilliams ishte që vendosi një rekord të ri, duke u bërë lojtari i parë që kur regjistrohen të dhënat në Kampionate Europiane, në vitin 1980, që shënon një gol, jep asist dhe kompleton 100% të pasimeve të tij (46/46) në një ndeshje si titullar. Gjermania (dhe kushdo tjetër) është e paralajmëruar.