Derbi i Barcelonës në futbollin e femrave këtë javë është ndezur më shumë se sa duhet. Fitorja 2-0 e Barçës përballë Espanjolit, është pasuar nga polemika të shumta, të cilat kishin lidhje me një veprim të Mapi Leon. Gjatë një goditje standarte, pasi shtyhet me kundërshtaren e saj, Daniela Karakas, futbollistja e Barcelonës duket sikur prek pjesët intime të kundërshtares. Pamjet kanë bërë xhiron e rrjetit dhe janë kthyer në temë diskutimi në Spanjë.
Edhe klubi i Espanjol ka dalë me komunikatë, duke e cilësuar një gjest të qëllimshëm dhe të ulët të lojtares së Barcelonës, duke kërkuar dënimin e saj. Nga ana tjetër, vetë Mapi Leon ka dalë me komunikatë zyrtare në adresat e klubit të Barcelonës, duke hedhur poshtë këto akuza. Ajo theksonte si i kishte prekur kofshën kundërshtares dhe që “as nuk i shkonte në mendje” të prekte pjesët intime të ndonjë futbollisteje tjetër.