Data 18 maj përkon me hapjen e bareve dhe restoranteve në Durrës, pas një mbyllje më shumë se dy mujore prej pandemisë Covid-19. Listës së lokaleve ekzistuese i shtohet një i ri, që synon të ndërthurë bukur traditën dhe emrin e mirë që ka fituar për 16 vite me radhë me risitë që ofrojnë ambientet e reja, të pozicionuara në bregdetin e bukur të Currilave.

Bëhet fjalë për lokalin e njohur “2 Kitarrat” që këtë herë vjen me një emër të ri “2 Kitarrat; Aromë deti”. Aroma e jodit të detit ndihet që në hyrje. I gjithë stafi është në punë e sipër, për të sistemuar ambientet, që do të vijnë në formë komplet të rinovuar. “2 Kitarrat” ka qenë përherë simbol i stilit dhe elegancës në Durrës dhe administratori Adil Beqiraj shprehet se ai vetë dhe klientët e kanë ndjerë përherë mungesën e një ambienti buzë detit.

“Ka qenë një kërkesë e kahershme e klientëve, sidomos gjatë verës. Kisha kohë që e mendoja marrjen e një ambienti të ri, por pandemia na i ngatërroi pak punët. Gjithsesi ja ku jemi, në punë e sipër për të bërë gjithçka gati për datën 18 maj”,- thotë Beqiraj.

Në ndryshim nga lokali i vjetër, ambienti i ri ka shumë më tepër hapësira, sidomos këto kohë kur flitet kaq shumë për distancimin social dhe respektimin e distancave të caktuara në bare dhe restorante. Ai është konceptuar në 4 salla të veçanta, ku salla e parë, dimërorja dhe më seriozja, do t’i rezervohet ceremonive familjare, eventeve etj.

Salla tjetër është interaktive me të parën dhe në kohë të ngrohtë mund të funksionojnë njëkohësisht si bar dhe restorant. Ndërsa salla në verandë është e konceptuar të funksionojë në formë bari veror. E fundit fare, por më e rëndësishmja, sidomos tani kur termometri është ngritur shumë dhe të gjithë mezi po presim të shijojmë plazhin, është ambienti buzë detit ku ka hapësira për vendosjen e çadrave dhe shezlongeve si dhe këndit të lodrave, ku fëmijët mund të kalojnë kohë të bukur në shoqërinë e bashkëmoshatarëve të tyre. Ambientet e hapura, ato që i kishin munguar aq shumë “2 Kitarrave”, këtu janë me bollëk.

Muzika live ka qenë një kompotent pa të cilin “2 Kitarrat” nuk do mund të kuptohej dhe admirohej. Edhe në ambientin e ri, ajo do të jetë një pjesë e pandarë e netëve të kaluara buzë detit, për të krijuar atmosferën e duhur për momente që mbesin gjatë në kujtesë.

Adil Beqiraj e pranon se po rrezikon disi me hapjen e lokalit të ri, për më tepër në një kohë pandemie.

“Kjo është si thikë me dy presa. Gjithsesi, fakti që kemi shumë hapësira na favorizon mjaft, sepse tek lokali i vjetër që është ambient i mbyllur do ta kishim të pamundur të hapnim më 18 maj. Me pak frikë, por jemi optimist”,- thotë Beqiraj.

Menuja e njohur e “2 Kitarrave” do të jetë e njëjta edhe në “Aromë deti”, por surpriza është që çmimet do jenë pak më të lira për faktin se lokali është buzë detit.

Përgatitjet janë në fazën finale, ashtu si edhe kujdesi maksimal për të respektuar me rigorozitet protokollin e masave mbrojtëse në kohë pandemie.

Beqiraj është i sigurt se ambienti i ri do të kthehet për durrsakët në pikë takimi të të gjitha grupmoshave, ashtu siç ishte për 16 vite me radhë “2 Kitarrat”.

M.B.