LONDËR, 11 mars 2013 –Një shqiptar, i cili përdhunoi një studente japoneze në Kilbërn (Kilburn) të Londrës nëntë vjet më parë, më në fund, u kap, teksa u arrestua për shkelje të ligjeve për emigracionin, shkruan në numrin e 11 marsit gazeta londineze “Kilburn Times”.

Javën e kaluar, Alfred Liçaj, 24 vjeç (gjykata mendon se është më i madh në moshë nga sa deklaron ai), me banim në rajonin londinez të Hekni-t (Hackney), u dënua me shtatë vjet burg për një sulm brutal që ndodhi në rrugën Çetsuorth (Chatsworth Road), në korrik të vitit 2004.

Gjatë procesit në Gjykatën Mbretërore të Herrou-t (Harrow Crown Court) doli se 24-vjeçari e kishte takuar viktimën në stacionin metropolitan të Finçli-t (Finchley) dhe e çoi në një pub aty afër.

Ajo kishte qenë vetëm pesë ditë në atë kohë në Londër dhe u largua nga pub-i me Liçajn pasi pranoi propozimin e tij për t’i mësuar anglisht.

Ai i tha se do ta çonte për një ekskursion, por në fakt i telefonoi një shoku dhe e mori në një shtëpi, ku e përdhunoi.

Viktima u traumatizua kaq shumë saqë braktisi studimet dhe u kthye në atdheun e vet.

Detektivët morën profilin në ADN të përdhunuesit por asgjë nuk përputhej në bazën e të dhënave deri në momentin kur Liçaj u arrestua për probleme me zyrën e emigracionit.

Sipas praktikës normale, ADN-ja e tij u mor dhe hyri në bazën e të dhënave të ADN-së në rang kombëtar.

Ai u dënua në një gjyq të dytë, pasi juria nuk ishte në gjendje të merrte vendim në një seancë të mëparshme.

Një hetuese e policisë tha: “Alfred Liçaj me vetëdije shfrytëzoi avantazhin ndaj një vajze të pambrojtur që ndodhej e vetmuar në një vend të huaj. Shpërdoroi besimin që kishte vajza tek ai.

“Ajo vazhdon të jetë thellësisht e traumatizuar dhe vitet nuk ia kanë lehtësuar fatkeqësinë që pësoi.

“Unë shpresoj se dënimi i Liçajt do të ndihmojë që ajo të përmirësohet përfundimisht, nga ana tjetër ka lënë një testament trimërie teksa erdhi dy herë në Britani për të dhënë dëshmi, dhe se drejtësia ka shërbyer më këtë rast.

“Gjykimi dhe vendimi i dënimit të Liçajt janë një mesazh i qartë për të gjithë autorët e krimeve – kalimi i kohës nuk siguron ndonjë mënyrë për të shpëtuar: ju do të mbani përgjegjësi për veprimet tuaja”.

Liçaj do të dëbohet në Shqipëri pas lirimit nga burgu.

Gjykata mendon se ai është më i madh në moshë nga sa pretendon të jetë.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrahu”/