LONDËR, 28 maj 2015 –  Ambasada shqiptare në Londër njofton se në 28 maj-4 qershor 2015, ajo organizon Javën e Kulturës Shqiptaro-Britanike. Kjo javë ka për qëllim të promovojë vlerat shpirtërore dhe artistike të popullit shqiptar në Britaninë e Madhe. Ajo zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për një diplomaci kulturore sa më efektive dhe përfaqësuese të këtyre vlerave dhe është vijim i veprimtarive të mëparshme, thotë ambasada shqiptare.

Në këtë veprimtari përfshihen ekspozita e piktorit Bashkim Izano-Ahmetaj me titull “Homazh për Eduar Lear-in” në ambasadën e Bashkimit Evropian në Londër; prezantimi i librit të studiuesit Enver Bytyçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore, Tiranë “Diplomacia shtrënguese e NATO-s në Kosovë” (anglisht: “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo”) në ambasadën e Kosovës në Londër; libri “Këngët e jetës” i muzikantëve Adelina Hoxha dhe Robert Radoja (botim special për fëmijët e diasporës, dhuratë) në ambasadën e Shqipërisë në Londër; prezantimi i librit të sapobotuar të Noel Malcolm-it kushtuar shqiptarëve “Agjentët e Perandorisw” (“Agents of Empire: Knights, Corsairs, Jesuits and Spies in the Sixteenth-Century Mediterranean World”) në ambasadën e Shqipërisë në Londër; prezantim i ambasadorit Mal Berisha para trupit diplomatik në Londër në auditoriumin e ambasadës amerikane në Londër: “Jeta e Herman Bernstein-it dhe historia e marrëdhënieve shqiptaro-hebraike”.

 

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/