LONDËR, 11 mars 2013 –Më 7 mars 2013 një gjykatë angleze ka konfiskuar 70 mijë euro kesh që i janë kapur një biznesmeni shqiptar një vit më parë, teksa orvatej t’i nxirrte kontrabandë nga një aeroport i Londrës, njofton në numrin e 11 marsit 2013 gazeta e njohur britanike “The Guardian”. 

Paulin Maklaj, me banim në zonën jugperëndimore të Londrës “Colliers Wood”, u kap në aeroportin e Stansted-it më 19 prill 2012, pasi një qen i Forcave të Kufirit nuhati 70.000 euro (pak mbi 61.000 lira sterlina).

Ai po priste të hipte në një avion për në Shqipëri dhe fillimisht u tha zyrtarëve se kishte me vetëm 10,000  euro, por pas një kundërshtimi, pranoi se në fakt kishte 70.000 euro me vete.

Maklaj, i cili është drejtor i një firme ndërtimi (P C Building Construction Limited), u tha oficerëve se vetëm 5000 euro i takonin atij, kurse të tjerat i përkisnin një punonjësi, Sllobodan Lukiç, me banim në zonën perëndimore “Shepherd’s Bush”, Londër.

Ai tha se me pjesën tjetër do të blihej tokë në Shqipëri, por nuk mundi të japë asnjë provë për origjinën e parave.

Paratë kesh u konfiskuan nga Gjykata e Magjistraturës e Çelmsfordit (Chelmsford), më 7 mars 2013, me një akt-vendim për të ardhurat me burim nga veprimtaria kriminale, meqenëse as Maklaj as Lukiçi nuk paraqitën në gjykatë prova për të kundërshtuar çështjen.

Hetuesi Xhon Çelçovski (John Chelchowski) tha:”Shpjegimet e kufizuara që u dhanë nuk ishin bindëse dhe se kishte një mungesë të dukshme provash si për burimin e parave ashtu dhe për përdorimin e deklaruar të tyre në Shqipëri.

“Përkundër kërkesave të përsëritura për paraqitjen e informacionit askush nuk ka kontaktuar me ne që nga tetori i vitit të kaluar.

“Ne kemi përgjegjësi të hetojmë për para kesh në një shumë mbi 1000 paundë kur kemi shkaqe të arsyeshme të dyshojmë se kanë lidhje me sipërmarrje kriminale.

“Të gjitha paratë kesh të konfiskuara më pas kalojnë në arkën e shtetit”.

Oficerët e kufirit nuk kërkojnë dënim penal në mënyrë që të kapin para kesh, që dyshohen se janë fituar përmes mjeteve kriminale.

Vetëm individët të cilët mund të provojnë se paratë i kanë me burim të ligjshëm do t’i rimarrin, me qëllim që të parandalohet dukuria që paratë e përfituara nëpërmjet aktiviteteve kriminale të mos fshihen në llogari bankare dhe pasuri të tjera jashtë shtetit.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/