LONDER, 17 prill 2013 – Në katedralen e Shën Palit në Londër u zhvillua ceremonia mortore për ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher. Ceremonia u mbajt në praninë e Mbretëreshës Elisabeth, të personaliteteve nga e gjithë bota dhe gjithë kryeministrave të tjerë britanikë që pasuan Zonjën e Hekurt.

Kryeministres së parë grua të Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher, iu rezervua një funeral me nderime të plota ushtarake.

Arkivoli me trupin e zonjës Thatcher u soll në Katedralen e Shën Palit me një procesion solemn, i vendosur mbi një shtrat topi të tërhequr nga gjashtë kuaj të zinj. Në rrugët ku kaloi procesioni sot mbretëronte qetësia.

Nën masa të rrepta sigurie, në Katedralen e Shën Palit ishin mbledhur më shumë se 2,300 të ftuar. Ra në sy mungesa e ish-udhëheqësit sovjetik Michail Gorbaçov dhe e zonjës Nancy Reagan, e veja e Presidentit amerikan Ronald Reagan, aleati i madh i zonjës Thatcher, të cilët nuk ndodheshin për arsye shëndetësore.

Ndonëse Zonjës Thatcher nuk iu rezervua funeral shtetëror si Winston Churchillit në vitin 1965, një pompozitet i tillë nuk është parë në Londër që nga vdekja e Nënës Mbretëreshë në vitin  2002.

Kryeministri britanik David Cameron tha se ceremonia ishte një nderim i merituar për një figurë të madhe kombëtare, kryeministres e cila qëndroi më gjatë nw detyrw se askush tjetër në këtë post gjatë shekullit të 20. Thatcher vdiq javën e kaluar në moshën 87-vjeçare.