Mbretëria e Bashkuar ka nisur përgatitjet për mbajtjen e Procesit të Berlinit këtë vjeshtë në Londër. E dërguara e re e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, ka nisur detyrën e saj të re me një vizitë në Berlin, në kuadër të përgatitjeve për këtë samit.

Një aspekt i rëndësishëm i diskutimeve këtë herë do të jetë edhe lufta kundër migracionit të parregullt. Organizimi i Procesit të Berlinit në Mbretërinë e Bashkuar në partneritet me Gjermaninë, sipas qeverisë britanike, nënvizon angazhimin e saj për të rivendosur marrëdhëniet me Evropën.

Kjo lëvizje e qeverisë së laburistëve britanikë përbën hapin e fundit në strategjinë për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme për të luftuar grupet kriminale që mundësojnë migrimin e parregullt.

Samiti i Procesit të Berlinit ka për qëllim të përmirësojnë bashkëpunimin mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i përafrojnë ato me Bashkimin Evropian para anëtarësimit.

Disa marrëveshje janë nënshkruar deri më tani, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.