Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi dhe ambasadori britanik Nicholas Cannon inspektuan stërvitjen “Albanian Lion-13” në Sazan
TIRANË, 30 gusht 2013 – Përfaqësuesi i “luanit britanik” në Shqipëri ka garantuar se stërvitja e përbashkët me shqiptarët nuk ka lidhje me ndonjë zhvillim konkret, pra nuk do të përdoren në Siri, sikurse u tha paraprakisht nga mediet botërore. Me sa duket, votimi kundër në parlamentin britanik për ndërhyrjen ushtarake në Siri, e ka detyruar ambasadorin në Tiranë, z. Kenën (Cannon) të qetësojë opinionin ndërkombëtar lidhur me praninë e flotës mbretërore në teatrin mesdhetar, konkretisht në detin Adriatik.
Britankët “çlirojnë” Sazanin nga shqiptarët
Skenari i stërvitjes shqiptaro-britanike: trupat britanikë në sulm dhe trupat shqiptarë në mbrojtje, britanikët, si çlirimtarë, shqiptarët, në rolin e mbrojtësve të territorit të ishullit të Sazanit. Sipas një njoftimi për shtyp të 30 gushtit 2013 të Ministrisë së Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë Nicholas Cannon kanë inspektuar pasditen e 29 gushtit 2013 zhvillimin e stërvitje së përbashkët shqiptaro-britanike të koduar “Albanian Lion-13” në ishullin e Sazanit. Këtu janë dislokuar rreth 400 trupa britanikë dhe një kompani këmbësorie e batalionit të këmbësorisë shqiptare të Poshnjës, të cilët po punojnë së bashku me trupat britanikë në stërvitjen që po zhvillohet në Sazan. E gjithë stërvitja është e ndërtuar për t’iu përgjigjur terrorizmit. Skenari i kësaj stërvitje të përbashkët është ndërtuar në mënyrë të tillë, trupat britanikë në sulm dhe trupat shqiptarë në mbrojtje:trupat britanikë, që janë çlirimtarë, dhe trupat shqiptarë, që luajnë rolin e mbrojtësve të territorit të ishullit të Sazanit.
Gjeneralmajori: Të njihemi me gjuhën e NATO-s
Në fjalën e tij shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, pasi ka përshëndetur trupat pjesëmarrës në këtë stërvitje mjaft të rëndësishme, u shpreh: “Kjo stërvitje ka për qëllim të trajnojë trupat me elementë të zbulimit, të rikonjicionit, të evakuimit të të plagosurve, të zbarkimit dhe imbarkimit”. Më tej gjeneralmajor, Xhemal Gjunkshi ka nënvizuar faktin se “në këtë stërvitje, njerëzit tanë aftësohen e mbi të gjitha të komunikojnë, që të njihen me gjuhën e NATO-s dhe të operacioneve”. Në vijim të fjalës së tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi u shpreh se Forcat e Armatosura shqiptare janë të gatshme dhe të trajnuara mirë për t’ju përgjigjur lidershipit politik dhe Aleancës së NATO-s për të vepruar në çfarëdo lloj operacioni, që do të bëhet në të ardhmen. “Këta trupa sot po stërviten për këto lloj operacionesh dhe sigurisht, koha do të tregojë se për çfarë do të ketë nevojë, që ne të shërbejmë brenda Aleancës”.
Diplomati: Sfidues dhe interesant operimi në ishull
Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Cannon në fjalën e tij u shpreh se kjo stërvitje ka tre vite, që kryhet në Shqipëri dhe se nuk ka lidhje me ndonjë zhvillim konkret. Me tej ambasadori Cannon theksoi se: “Nga raportet që patëm nga forcat tona në terren, them se trupat tanë e kanë parë shumë sfidues dhe shumë interesant operimin në këtë ishull. Mendoj se ushtrimet janë me vlerë për të dyja forcat, si ato shqiptare dhe ato britanike”. Një vlerësim i veçantë për stërvitjen u bë edhe nga Kevin Oliver, zv/komandat i brigadës komando të “Royal Marine”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





