Forin Ofis-i: Kompania e zgjedhur nga qeveria shqiptare është shumë e respektuar në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria britanike mbikëqyr aktivitetet e kompanisë. E përfshirë në më shumë se njëqind vende të botës dhe ka punuar gjerësisht në projekte për qeveritë e Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Japonisë

TIRANË, 5 nëntor 2013 – “Luani” britanik nxjerr “kthetrat” kundër Lulzim Bashës dhe PD-së: “Disa individë në qarqet politike shqiptare dhe në media kanë bërë akuza të rreme për korrupsion dhe praktika të pandershme biznesi kundër “Croën Agents”, madje edhe duke kërkuar të lidhin aktivitetet e kompanisë me ish-anëtarë të shquar të qeverisë britanike. Ata që merren me shqyrtimin dhe diskutimin e projekt-propozimit duhet të jenë të vetëdijshëm se këto pohime janë të keqinformuara dhe krejtësisht të pabaza”. Forin Ofis-i (Foreign Office – Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, në foto ndërtesa në Londër) ka instruktuar selinë e vet diplomatike në Tiranë për t’i sqaruar opinionin publik shqiptar se “kompania e zgjedhur nga qeveria aktuale është shumë e respektuar në Britaninë e Madhe. Kjo ishte pjesë e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar derisa u privatizua në vitin 1997 dhe qeveria britanike ka ende një vend në Fondacionin “Crown Agents” që mbikëqyr aktivitetet e kompanisë. Ajo ka qenë e përfshirë në më shumë se njëqind vende të botës dhe ka punuar gjerësisht në projekte për qeveritë e Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Japonisë”.

Deklarata e ambasadës britanike në Shqipëri:

Projekti i propozuar nga “Crown Agents” është një temë legjitime për mediet dhe debatin politik. Pa dyshim ka argumente pro dhe kundër një propozimi të tillë. Megjithatë, disa individë në qarqet politike shqiptare dhe në media kanë bërë akuza të rreme për korrupsion dhe praktika të pandershme biznesi kundër “Crown Agents”, madje edhe duke kërkuar të lidhin aktivitetet e kompanisë me ish-anëtarë të shquar të qeverisë britanike. Ata që merren me shqyrtimin dhe diskutimin e projekt-propozimit duhet të jenë të vetëdijshëm se këto pohime janë të keqinformuara dhe krejtësisht të pabaza. Kompania e zgjedhur nga qeveria aktuale është shumë e respektuar në Britaninë e Madhe. Kjo ishte pjesë e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar derisa u privatizua në vitin 1997 dhe qeveria britanike ka ende një vend në Fondacionin “Crown Agents” që mbikëqyr aktivitetet e kompanisë.

Ajo ka qenë e përfshirë në më shumë se njëqind vende të botës dhe ka punuar gjerësisht në projekte për qeveritë e Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Japonisë. Ajo ka menaxhuar projekte specifike në fushën e doganave, me sukses të madh në Bullgari, Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Ata që punojnë në projektet e “Crown Agents” për qeverisjen e mirë dhe të ardhurat, janë gati të gjithë zyrtarë në shërbim apo në pension nga shërbimet britanike doganore ose të shërbimeve doganore të shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Aktivitetet e “Crown Agents” janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe procedurat e Bashkimit Evropian, dhe mbështetës të procesit të anëtarësimit evropian të Shqipërisë, duke përfshirë “acquis” (të gjitha parimet, legjislacionin, rregulloret, udhëzimet politike, praktikat dhe detyrimet e rëna dakord nga gjithë shtetet anëtare të BE-së) si edhe “guidën doganore” të BE-së. “Crown Agents” vepron krejtësisht në përputhje me legjislacionin strikt të Mbretërisë së Bashkuar mbi praktikat e biznesit dhe me ligjet e vendeve në të cilat është duke punuar. Ruajtja e parimeve më të larta dhe standardeve etike është e rëndësishme për kompaninë dhe për qeverinë britanike.

Kompania britanike “Crown Agents” i ka propozuar qeverisë së Shqipërisë një projekt për të përmirësuar menaxhimin dhe performancën e shërbimit doganor, duke përfshirë elementet e rekrutimit, trajnimit dhe menaxhimit të karrierës. Vendimi për këtë projekt të propozuar varet tërësisht nga qeveria e Shqipërisë dhe parlamenti shqiptar, duke marrë parasysh nevojat e Shqipërisë, përmbajtjen e projektit dhe koston. Kontrata e plotë ka qenë dorëzuar në Kuvend në mënyrë që të informohen për përmbajtjen e saj.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/