Pasditen e sotme, në orën 19:00 do të vihet në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" në Durrës monodrama "Lopata e Artë" me autor Ferdinand Hysin.

Për "DurrësLajm", regjisori Leonard Hamitaj tregon se kjo monodramë vjen në skenat shqiptare nga teatri shqiptar "Mërgimtari" në Kroaci.

Hamitaj thotë se "Lopata e artë" është historia prekëse e njeriut të thjeshtë, i cili ka vuajtur dhe është munduar shumë e që pasi ka vdekur respektohet e nderohet nga ajo shoqëri që e përbuzi sa ishte gjallë.

Sipas regjisorit, në këtë histori gjen veten çdo person pavarësisht kombësisë, pasi bazohet në realitetin e hidhur. Në fund ai iu bën thirrje të gjithë durrsakëve që të ndjekin sonte shfaqjen, "të shijojnë këtë monodramë, histori njerëzore".

Premiera e shfaqjes u mbajt në teatrin "Petro Marko" në Vlorë, për të vijuar në skenën e "ArTurbinës", në Tiranë një natë më parë. Ndërsa këtë të premte, qytetarët durrsakë kanë mundësinë të shijojnë shfaqjen teatrale e cila do të mbyllet nesër në qytetin e Fierit.

G.D.