Lorenco Vila nuk kish te lindur ende kur Teuta u shpall kampione për herë të parë në vitin 1994. Mirëpo, në moshën 22- vjeçare sulmuesi numëron tre trofe si pjesë e “djemve të detit”.
Dy sezonet e fundit kanë nxjerrë në pah shpërthimin e talentit durrsak, i cili ka qenë protagonist i padiskutueshëm në fitimin fillimisht të Kupës së Shqipërisë, më pas të Superkupës dhe së fundmi të titullit kampion.
61 ndeshje të luajtura në dy kampionatet e fundit dhe 18 gola të shënuar, por duke mos qenë sulmues i parë, teksa më së shumti ka luajtur nga krahët.
Me numrin 10 në shpinë ai e mbylli sezonin e titullit me 10 gola, duke qenë shumë i rëndësishëm për sukseset e skuadrës. Vila tregon emocionet e para si kampion, por gjithashtu rikthehet pas në kohë, kur nisi të formohej si futbollist me ëndrrën që një ditë të festonte titullin me Teutën.
Lorenco, si e përjetuat momentin kur Teuta u shpall zyrtarisht kampione?
Momenti kur arbitri sinjalizoi mbarimin e ndeshjes, ishte si një fotografi që do të më mbetet para syve. Nuk besoja që ishim kampionë. Duheshin disa sekonda që ta merrja seriozisht. Nuk e di pse ajo aroma e jodit dhe zhurma e dallgëve m’u rikthye pas shumë vitesh në kujtesë në ndeshjen tonë finale, që ishte e fundit në kampionat ndaj Apolonisë.
Çfarë ndjesie është të jesh kampion me ekipin ku je rritur?
Të rritesh në qytetin tënd me ëndrrën që një ditë do të fitosh kampionatin, besoj që është më e bukura për një futbollist. Sot ndihem me fat që po e përjetoj këtë fakt si kampion. Teuta e fitoi titullin e parë kur unë nuk kisha lindur ende. U rrita duke dëgjuar shpesh për atë brez të artë lojtarësh. Natyrisht, u rrita me imazhin e tyre. Na flisnin shpesh për vlerat e atyre futbollistëve, të cilët i dhanë Durrësit kënaqësi të jashtëzakonshme. Me kalimin e viteve natyrshëm doja të bëja të njëjtën gjë edhe unë.
Si e kujtoni fëmijërinë të lidhur me futbollin?
Nis nga plazhi, aty ku me shpejtësi ndërtova shtyllën e parë të portës prej rëre. Me hapat e këmbës mata largësinë nga shtylla e dytë. Të njëjtën gjë bëri edhe kundërshtari. Deti dukej sikur ishte tifoz me zhurmën që krijonte në breg. Filloi ndeshja e radhës, të cilën e luanim çdo ditë në të njëjtin vend. Pa kaluar shumë kohë, një lojtar kundërshtar godet një top, i cili përplaset në shtyllën prej rëre duke e shpërbërë atë.“Ishte shtyllë e jashtme apo e brendshme?” Kjo ishte çështja më pas. Kundërshtarët besonin se ishte e brendshme dhe rrjedhimisht gol, ndërsa ne si ekip mbronim versionin tonë që ishte portë e jashtme. Dhe kështu vazhdonte çdo ndeshje në rërë. Këto janë kujtimet e përditshme dhe unë u dashurova me futbollin.
Sa ju ka mbështetur familja në këtë rrugëtim?
E shikoja si një sport që mund ta luaja kur isha i vogël. Në fillimet e mia futbolli ishte sporti që praktikoja shumë, por sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë familja këmbëngulte që të luaja futboll. Këmbëngulja e babait bëri që të motivohesha për t’u bërë dikush. Ishte si e planifikuar. Them kështu, sepse nuk kaluan 24 orë dhe im atë me regjistroi direkt tek akademia e futbollit Teuta.
Si ishte ajo ditë?
Isha shumë i emocionuar dhe i hutuar kur u prezantova, sepse u ndodha në një ambient të ri. Ditët e para kaluan shpejt. Sa më shpejt kalonin, aq më shumë lidhesha me lojën e bukur. Në ato vite nuk mësova të luaja vetëm futboll, por mësova edhe si të sillesha dhe si ta konceptoja jetën falë trajnerëve. Ndihem shumë më fat që u bëra pjesë e asaj akademie. I falënderoj trajnerët, sepse ishin si prindër të dytë për mua.
Cili ka qenë momenti juaj më i rëndësishëm në futboll, që nuk do ta harroni kurrë?
Në jetë momentet më të rëndësishme fiksohen përgjithmonë në memorie. E tillë ishte ndeshja ime e parë me Teutën. Këtë e them, jo sepse u shpalla kampion këtë sezon, por gjithnjë në këtë vend kam gjetur veten time. Kam gjetur veten në futbollin e rërës, në futbollin e detit. Gjithsesi, nuk ka qenë aspak e lehtë të arrij deri këtu.
Jeni zhgënjyer shpesh kur keni qenë i vogël?
Kur isha më i ri, zhgënjimi ishte shpesh prezent tek unë, më mungonte durimi, por babai gjendej gjithnjë aty për të më dhënë kurajën dhe mbështetjen e duhur. E gjithë familja ka bërë sakrifica që unë të jem këtu. U jam mirënjohës dhe i dua pa fund. Ashtu sikurse e quaj, familja e madhe është mbështetja e fuqishme për një futbollist. Për mua futbolli është pasion dhe profesion.
Cili nga ekipet huaja ju ka pëlqyer më tepër që ka fëmijëria?
Mançester Junajtid më ka pëlqyer gjithnjë.





