Lorenco Vila është 23-vjeç, por të jep përshtypjen se ka një jetë që luan me Teutën.Mesfushori me tipare sulmuese po mbyll sezonin e gjashtë me durrsakët në Kategorinë Superiore, ku debutimin me Teutën në Superiore e ka bërë më 27 maj 2017, pikërisht në transfertë ndaj Laçit, takim i fituar nga kurbinasit në shifrat 2-1.

Por ky edicion mund të sjellë edhe ndryshim ambienti për Lorenco Vilën, që duhet pranuar se sezonin më të mirë me fanellën e Teutës e pati vjet ku u shpallën kamionë dhe durrsaku shënoi edhe 10 gola.Duke qenë periudhë merkatoje janë shtuar zërat për të ardhmen e sulmuesit të Teutës, ku u përfol edhe për një kalim të mundshëm të 23-vjeçarit te Tirana, ekipi që u hoqi kurorën “djemve të detit”.

Por mësohet një skenar tjetër merkatoje për Vilën, i cili pëlqehet në Poloni.Lorenco Vila mund të bëhet këtë verë shok skuadre me dy ish-futbollistë të Tiranës, Jurgen Çelhaka dhe Ernest Muçi, te Legia e Varshavës.

Përveç zërave të merkatos dhe interesimit, mësohet se kanë nisur edhe kontaktet mes palëve, por pa bërë të dituar detaje se si Loreco Vila mund të transferohet te polakët e Legia Varshavës.Nëse konkretizohet kjo lëvizje, pa dyshim që Lorenco Vila hedh një hap të madh në karrierë. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë formula e transferimit të 23-vjeçarit te gjigandët e futbollit polak.

Pa dyshim Teuta bie që të arkëtojë një shumë të konsiderueshme, pasi sikur vetëm nga taksa e formimit të lojtarit përfitimi është i madh për stadin e klubeve shqiptare.

Lojtari ka 6 sezone që aktivizohet si profesionist tek ekipi i parë, kështu që edhe nga shitjet e mundshme në të ardhmen i bie që Teuta të përfitojë shuma të majme për produktin e dalë nga akademia e saj.

Fillimi i këtij sezoni ka qenë i pafat për Lorenco Vilën, pasi dëmtimi që pësoi në turin e parë të Champions-it ndaj Sherif Tiraspolit e mbajti gjatë jashtë fushave.Gjithsesi, sulmuesi arriti që ta kalojë të keqen dhe tani po kontribuon për Teutën, e cila në tri javët e fundit synon të sigurojë një biletë për Ligën e Konferencës.