Teuta kërkon finalen e Kupës së Shqipërisë me çdo kusht këtë sezon, pasi situata në kampionat nuk është e mirë dhe Europa mund të kapet më lehtë përmes kompeticionit të dytë më të rëndësishëm. Sulmuesi i krahut, Lorenco Vila, ka folur dje për “Panorama Sport” pas kualifikimit në gjysmëfinale. Ai konfirmoi se synimi i kampionëve në fuqi është të shkojnë sa më larg në Kupë, ndërsa komentoi edhe takimin e javës së 20-të kundër Vllaznisë, që do të luhet të dielën në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Vila është i bindur se Teuta nuk gabon më në kampionat, pasi e ka hedhur pas humbjen ndaj Partizanit.

Lorenco, duket sikur Skënderbeut ia keni marrë dorën, pasi ishte fitorja e tretë brenda pak ditësh?

Këtë herë luanim për Kupën dhe nuk mendoj se ishte një ndeshje e lehtë, por u treguam të zotë që nuk lëshuam. Arritëm të gjenim golin shpejt dhe çdo gjë shkoi mirë.

Sa i rëndësishëm ishte kalimi në gjysmëfinale në një moment kur vinit pas humbjes së thellë ndaj Partizanit?

Sigurisht që është shumë i rëndësishëm. Ne duhet të luajmë në stilin e Teutës, siç kemi bërë në ndeshjen e fundit. Tashmë jemi në raundin gjysmëfinal, por na pret një sfidë tjetër e fortë për kampionatin në Shkodër. Kupa është objektiv dhe duam të shkojmë në finale, kështu që me këdo që do të përballemi, do të një ndeshje e fortë.

Mes Partizanit, Laçit dhe Vllaznisë, cilin ekip preferoni në gjysmëfinale?

Për mua është njësoj me këdo nga këto ekipe. Çfarëdo që të rezervojë shorti, do të përpiqemi të fitojmë për të shkuar deri në fund.

Si e shikoni përballjen me Vllazninë në transfertë?

Dua të them se është ndër ndeshjet më delikate. Vllaznia ka një skuadër të mirë dhe për këtë duhet vlerësuar maksimalisht. Megjithatë, objektivi ynë kryesor është që të marrim tri pikët.

Besoni se mund të bëni kthesën në Shkodër?

Do të shkojmë të japim maksimumin. Vllaznia është një ekip cilësor, por pa diskutim që shkojmë në Shkodër vetëm për tri pikët. Jemi në një formë të mirë dhe mendoj se do ta kalojmë me sukses.

Çfarë i druheni në prag të kësaj ndeshjeje?

Nuk kam frikë diçka. Vllaznia ka një ekip me lojtarë cilësorë, po ne duhet të fokusohemi tek skuadra jonë. Jemi të motivuar të arrijmë të marrim maksimumin, për t’u ngjitur në renditje.