Teuta nuk ia doli të merrte më shumë se një pikë në transfertë ndaj Bylisit, pavarësisht se ndeshjen e ktheu në favorin e saj, durrsakët nuk ia dolën të mbyllnin ndeshjen. Gjithsesi, blutë bënë një paraqitje pozitive dhe sulmuesi Lorenco Vila pohoi se ndien keqardhje për mënyrën se si u iku fitorja nga duart.

Vetëm një barazim ndaj Bylisit. Ju vjen keq që nuk arritët te fitorja në këtë sfidë?

Pa diskutim që ndiem keqardhje, pasi të ndëshkohesh në atë minutë, kur kishim ndeshjen nën kontroll, nuk të vjen mirë. Megjithatë, mendoj se Teuta bëri lojë të mirë dhe kishim mundësi ta fitonim ndeshjen me pak kujdes. Patëm dy-tri mundësi të tjera për ta çuar rezultatin në 1-3. Ky është futbolli dhe ky duel mbaroi në barazim.

Riktheheni te goli pas disa ndeshjesh, si ndiheni?

Jam shumë i lumtur, pasi u bënë disa ndeshje që nuk po shënoja. Jam stërvitur shumë për të shënuar dhe deshi Zoti që ia dola. Kam keqardhje që nuk fituam, pasi do të ishte kënaqësi e dyfishtë. Ndodhem në formë të mirë dhe duhet të vazhdoj përpara në këtë mënyrë. Shpresoj që të jetë pika e kthesës për mua dhe të ndihmoj ekipin me golat e mi për të dalë nga zona e ftohtë.

Si është atmosfera në kampin e Teutës pas atij barazimi?

Mirë. Në radhë të parë duhet të ruajmë qetësinë dhe duhet t’i marrim ndeshjet me seriozitetin e duhur. Kanë mbetur edhe 7 takime shumë të rëndësishme për ne. Por unë sinqerisht shpresoj që me sakrificë maksimale të marrim maksimumin nga këto duele në kampionat, pasi siç thashë, na mbeten edhe 7 finale. Mendjen e kemi te ndeshja ndaj Erzenit. Shpresoj ta fitojmë këtë duel për t’u ngjitur sa më lart në renditje deri në fund të sezonit.

Të shtunën do të luani përballë Erzenit. A mund të vijë kthesa në javën e 30-të?

Nuk ka shumë rëndësi se ku luhen takimet apo në çfarë pozite është njëra apo tjetra. Të dyja ekipet japin më të mirën e tyre në të tilla përballje. Pas barazimit me Bylisin, do të kërkojmë maksimumin në fushën tonë, ndaj do të bëjmë më të mirën që të marrim pikë në këtë takim. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Vendi ku ndodheni në klasifikim nuk është aspak komod.

Sa shanse ka Teuta që t’i largohet rrezikut?

Unë jam i bindur se Teuta ka forca ta lërë pas vendin në të cilin ndodhet deri në fund të sezonit. Do t’i luajmë edhe këto ndeshje që kanë mbetur nga kampionati, duke bërë më të mirën. Shpresoj të ngjitemi sa më lart, nuk mund të flas më shumë.